Protesta e opozitës, Meta: Rama ka zëvendësuar procesin e integrimit europian me korrupsionin ndërkombëtar. Do japë llogari para qytetarëve

Feb 11, 2023 | 13:17
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur në protestën e opozitës të thirrur ditën e sotme përpara kryeministrisë.

Meta u shpreh se Edi Rama është i gatshëm të bëjë çdo gjë për të qëndruar edhe disa ditë në pushtet ndërsa shtoi se ai po e zëvendësoi procesin e integrimit europian me korrupsionin ndërkombëtar.

“Kjo protestë historike dhe madhështore sot është prova e dinjitetit më të lartë qytetar dhe patriotik. Është ora për t’u përballur me këtë regjim të kalbur dhe armik të interesit publik dhe kombëtar.

Struci i rilindjes është fshehur si një frikacak nga frika e tmerrshme që ai ka, nga përballja me të vërtetat, me popullin dhe dëmet që e ka shkaktuar atij. Edi Rama e përdori pushtetin vetëm për të kapur shtetin dhe është i gatshëm të kënaqë mafiozë për të shtyrë edhe disa ditë në pushtet. Afera që ka tronditur mbarë botën Rama-McGonigal është edhe afera që ka derdhur kudo zemërimin mbarë popullor. Llogaridhënies nuk i shpëton dot. Do të japë llogari për të gjitha shkeljen që ka bërë, për shkatërrimin e parlamentit dhe bllokimin e projektligjeve të opozitës.

Edhe për ato që kemi paraqitur prej kohës në kuvend. Ato u shërbejnë qytetarëve dhe mirëqenies së tyre ndërsa Edi Rama kërkon t’i varfërojë ata. Ai do të japë llogari edhe për bllokimin e komisioneve hetimore të opozitës në kuvend. Edi Rama do të japë llogari edhe për përjashtimet staliniste të deputetëve të opozitës nga grupet parlamentare. Edi Rama do të japë llogari deri në fund për pengmarrjen e integrimit europian sepse me veprimet e tij mafioze, ai i është kundërvënë vlerave të shtetit ligjor. E zëvendësoi procesin e integrimit europian me korruptimin ndërkombëtar. Kosova po përmirësohet me 20 vende vetëm në dy vite sepse në Kosovë ka zgjedhje të lira, funksionojnë institucionet.

Ndaj dhe pagat në Shqipëri janë sa gjysma e pagave në vendet fqinje. Populli e ka marrë vendimin dhe nuk do të lejojë më që Edi Rama të vazhdojë të uzurpojë zyrën e kryeministrit. Populli nuk do të lejojë më kurrë  që zyra e kryeministrit të prodhojë vetëm mjerim dhe të dëbojë qindra mijëra qytetarë. Shqiptarët protestojnë sot për t’i dhënë fund dramave familjare”, tha Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura