Profil i paautorizuar i Sandër Lleshit, nga gjeneral në ministër

Oct 30, 2018 | 11:55
SHPËRNDAJE

LAVDRIM LITA/lavdrim-lita Emërimin e Sandër Lleshit në detyrën e ministrit të Brendshëm nuk është një lajm si për çdo emërim tjetër, të paktën për njerëzit që kanë shërbyer në forcat e sigurisë. Kur Ismail Kadare e propozoi për president 6 vite më parë, shumëkush pyeti, kush është gjeneral Sandër Lleshi?

Me origjinë nga Mërkurthi i Kurbneshit në Selitë të Mirditës, Sandër Lleshi deri në moshën 14-vjeçare qëndroi në vendlindje me natyrën dhe Zotin. Familja dhe atmosfera e atyre viteve po e përgatiste të ishte një inxhinier elektrik, siç ishte xhaxhai i tij, ku Sandër Lleshi kalonte kohë në bibliotekën e tij të sistemuar në arka druri

Vendimi i parë në jetë i Sandër Lleshit ishte të këmbëngulte, përkundër dëshirës së familjes, të shkonte në shkollën e mesme ushtarake “Skëndërbej”, në Tiranë. Shtysë për këtë vendim kishin qenë fotot e të rinjve me rroba ushtarake në një revistë ushtarake, të quajtur asokohe “10 korriku”, por që ishte një revistë e krijuar nga një dekret i Mbretit Zog në 1931, për të frymëzuar djalërinë shqiptare

Edhe pse me nota të mira, i kishte kaluar afati i përgatitjes së letrave për shkollën e mesme ushtarake. Por më disa ndërhyrje familjare dhe rekomandimesh, Sandër Lleshi fillon shkollën “Skëndërbej”. Me një kujtesë fotografike përtej normales dhe aftësi për të mësuar shpejt, studenti Lleshi nuk e kishte të vështirë të ishte mirë me mësime. Uniforma ushtarake një ditë i pëlqente dhe një ditë e zhgënjente. Fantazia e fëmijës ishte thyer nga realiteti i atyre viteve. Regjimi spartan i shkollës, orët e gjata të mësimit me disiplinë ushtarake, ishin sfiduese për një të ri të pamësuar me rregullat, kodet dhe njerëzit.

Kalimi në Akademinë Ushtarake ishte diçka e natyrshme. Kërkesën e prindërve për studimin për inxhinieri elektrike, studenti Lleshi duket se e konvertoi në ndjekjen e degës së Radiolokacionit: të studimit të radarëve dhe gjithë botës së koordinatave në qiell e tokë. Ai do të punonte më pas disa vite në Rinas, Prezë e Vorë në radiolokacion.

Pas rënies së regjimit komunist, Sandër Lleshi ishte i dyzuar të linte ushtrinë që premtonte pak. Për më shumë se një vit do të endej me dilemën për të lënë ushtrinë, për të ikur jashtë vendit për një jetë më të mirë. Por pikërisht në 1992, shteti i ri me regjimin demokratik i drejtuar nga Presidenti Sali Berisha do të kërkonte një rinovim të ushtrisë. Kërkoheshin djem të ri si ai, të gatshëm për të bërë ndryshimin në sistemin e vlerave. Në këtë kohë do të vinte befas edhe propozimi dhe emërimi i tij si komandant regjimenti dhe për kohën të ishe komandant i një regjimenti ushtarak ishte një prestigj i madh dhe kjo do ta mbante përfundimisht në ushtri. Dy vite më pas shkonte në Vjenë për një specializim, ku perfeksionon edhe njohjen e gjuhës gjermane. Sapo ishte bërë me vajzë, por gëzimi do të zgjaste pak sepse vajza do të humbte jetën në një aksident. Nga viti 1995 deri në vitin 2000, Sandër Lleshi do të gjendet në Gjermani, fillimisht në mbrojtjen ajrore më pas në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm. Në kthimin në Tiranë, emërohet komandant i Akademisë Ushtarake, por kjo nuk zgjati shumë, pasi ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, do ta emëronte atashe ushtarak në Berlin

të njihej edhe me shkrimtarin e njohur Ismail Kadare, siç duket pas dorëzimit të një studimi mbi artin ushtarak të Skënderbeut në një panair. Marrëdhënia me Kadarenë do të ishte përcaktuese për karrierën e tij, të mëpasme. Në 2006, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, do ta telefononte për t’i komunikuar urdhrin e emërimit, komandant i Doktrinës dhe i Stërvitjes. Pas shpërthimit të Gërdecit dhe ndryshimit të lidershipit ushtarak, ministri i kohës i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, duket prapë pas një sugjerimi të Ismail Kadaresë, do ta propozonte për gjeneral te Komandanti i Përgjithshëm i FA, z. Bamir Topi, duke kapërcyer të gjitha etapat.

Megjithatë, duhet thënë se në Ushtri, pas gradës major, gjithçka është një investim politik, në çdo lloj kuptimi.

Emërimi gjeneral Brigade, Sandër Lleshit do t’i hapte shumë dyer. Ai sapo kishte përfunduar Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qendrën për Studime të Sigurisë Europiane, George C. Marshall në Gjermani; Ndërsa në 2011-n do të përfundonte Kursin e Lartë Ndërkombëtar për Menaxhimin e Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kalifornia, SHBA. Kjo e fundit një shkollë prestigjioze e Marinës Amerikane, ku kanë mbaruar pak studentë si Bujar Nishani, Leonard Demi, Ferdinant Xhaferri, Damian Gjiknuri, Visho Ajazi-Lika, Dritan Demiraj, Bardhyl Kollçaku, Adriatik Mema, etj..

Gjeneral Lleshi do të fitonte përjetë kësisoj edhe besimin e partnerëve amerikanë dhe gjermanë. Komunikimi dhe heshtja e tij do ta ndihmonte. Ai do të ishte edhe një nga organizatorët e planit të mbrojtjes së institucioneve më 21 janar të 2011-s, pas informacioneve që kishte marrë SHIU në rrugë operative për dhunë në protestë, që mund të shkonte deri në përmbysje të rendit kushtetues të një vendi anëtar të NATO-s. Kjo dhe shumë plane të tjera ushtarake do t’i jepnin atij pikë të mira dhe besim organizativ te ministri i Mbrojtjes i asaj kohe, Arben Imami, i cili e kishte propozuar në vitin 2010 në detyrën e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, post që e mbajti deri në vitin 2013. Besimi në aftësitë e tij do të kthehej në një ambicie të madhe, që në fund do të tregohej edhe pika e tij e dobët.

Stacioni i tjetër i ëndërruar do të ishte shef Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë. Kryeministri Berisha kishte 3 kandidatura në tavolinë, gjeneral Brigade Viktor Bërdo (Vlorë-Shkodër), gjeneral Brigade Sandër Lleshi (Mirditë-Lurë) dhe gjeneral Brigrade, Xhemal Gjunkshi (Dibër). Të tre gjeneralët ishin të aftë për detyrën më të lartë në Ushtri, shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe vendimmarrja në këto nivele do të ishte një lotari kombëtare, që nuk bazohet në aftësi apo lidership, por në…

Gjeneral Gjunkshi do të triumfonte në garën për lidershipin e Ushtrisë, ndërsa dy gjeneralët e tjerë do të ishin zëvendësit e tij. Këtu diçka do të thyhej në karrierën e Sandër Lleshit në Ushtri. I frustruar për ndalesën në karrierë, por edhe ecejaket e tij nervoze në ambasadën amerikane dhe bisedat e ashpra me ministrin Imami, do të çonin deri në propozimin për lirimin e tij nga detyra.

Ndërsa propozimi i Kadaresë dhe më pas i Edi Ramës për President të Republikës, në dialogun e hapur nga Kryeministri Berisha, për kreun e ri të shtetit nuk do ta ndihmonin gjeneral Sandër Lleshin në betejën për pushtet në Ushtri. Dyshimi për afiliacionin e ri politik, edhe pse ngjitjen në karrierë e kishte marrë gjatë kohës së të djathtës, do të ishin një ndezës në përshkallëzimin e marrëdhënieve me qeverinë dhe komandantin e përgjithshëm.

Ndërrimi i pushtetit do ta shpërblente gjeneralin në lirim, Sandër Lleshin. Kryeministri i ri Edi Ramës do ta propozonte Sandër Lleshin këshilltar për Sigurinë Kombëtare. Gjatë 4 viteve në Kryeministri, Sandër Lleshi do të ishte një antenë e mirë për partnerët ndërkombëtarë se çfarë mendonte shefi i tij. Gjatë kësaj kohe, Sandër Lleshi do ta kthente tezën e tij të doktoraturës në një libër të titulluar “Udhëheqja ushtarake, globalizimi dhe rasti i Shqipërisë”. ”Karriera ime e gjatë ushtarake më ka bërë të njoh mirë dy kategori të rëndësishme: në fillim teknikën e ndërlikuar të radarëve e më vonë natyrën edhe më të ndërlikuar të njerëzve”. (Udhëheqja ushtarake, globalizimi dhe rasti i Shqipërisë, fq. 15). Në këtë libër ai shkruan, se ”…sado e ndryshme të duket apo sado e larmishme të pasqyrohet lufta në kohën tonë, …, përsëri ajo mbetet politikë që shfaqet në trajtën e dhunës”.

Në mandatin e dytë të Edi Ramës, konfirmimi i parë për një njeri të qeverisë Kryeministri do ta komunikonte me një tëeet: Sandër Lleshi, konfirmohet në detyrë! Kritikët mund të thonë ku ishte këshilla e Sandër Lleshit kur vendi mbulohej me kanabis dhe krimi i organizuar (Balili) do të ishte temë edhe për një mbledhje të sigurisë kombëtare. Tani Sandër Lleshi nuk ka nevojë të këshillojë, por të veprojë në postin e ministrit të Punëve të Brendshme.

 

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/