“Pranoje se të duhet, ka lidhje të forta me gjyqtarë dhe prokurorë”- Nuredin Dumani: Biznesmeni Festim Qoli më kërkoi t’ia bëja nderin avokatit

May 24, 2022 | 11:50
SHPËRNDAJE

Bashkëpunëtori i SPAK-ut Nuredin Dumani, në dëshminë e tij për aktivitetin e 8 grupeve kriminale në Shqipëri, ka pohuar se biznesmeni në Durrës, Festim Qoli, e kishte kontraktuar për të kryer krime të ndryshme për llogari të tij dhe të avokatit të njohur Alban Bengasi.

Sipas rrëfimit, kur Alban Bengasi i kishte kërkuar Dumanit të vriste gruan e tij, Blerta Bengasi për 120 mijë euro, Qoli i kishte thënë ta pranonte ofertën, pasi avokati i duhej, pasi kishte lidhje të forta me gjyqtarë dhe prokurorë.

Gjithnjë sipas dosjes, Festim Qoli i kishte kërkuar më herët Dumanit të dhunonte Blerta Bengasi, kundrejt pagesës, me porosi të bashkëshortit të saj Alban Bengasi, i cili kërkonte të hakmerrej për shkak të një tradhtie të dyshuar.

Dhunimin e Blerta Bengasit në Tiranë, Qoli donte të bënte si nder për avokatin Alban Bengasi.

Dumani ia kalon ‘porosinë’ Eljo Bitrit, i cili dhunon zonjën Blerta. Meqenëse avokati ishte i pakënaqur me shkallën e dhunimit, pasi donte me patjetër që gruas së tij t’i thyhej këmba ose krahu, ai i kërkon Nuredin Dumanit ta vrasë.

Dumani nuk ka pranuar pasi i janë dukur pak 120 mijë euro për të vrarë një grua, ndërsa Qoli e shtyn të pranojë ofertën, për të ruajtur lidhjet me Alban Bengasin. Sipas rrëfimit të Dumanit, Alban Bengasi do ta ndihmonte Festim Qolin për të përfituar një dëmshpërblim me vlerë 500 mijë euro, pa dëmtimit të kompleksit pas tërmetit.

Por, Alban Bengasi mësohet se ka qenë avokat Festim Qolit për ta shpëtuar nga ndëshkimi penal, kur dyshohej për vrasjen e 36-vjeçarit Elvis Dedaj në 5 qershor të vitin 2012, në Durrës.

Festim Qoli ka qenë i dyshuari kryesor për vrasjen e Elvis Dedajt, me të cilin kishin biznese të përbashkëta dhe i kishte borxh Dedjat 70 mijë euro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura