Përjetësimi i Kryekomisar Artan Cukut

Jan 25, 2023 | 7:12
SHPËRNDAJE

HALIL RAMA

1383148_732724550074242_965219776_n

Rrallëkush si ish-drejtuesi i Parë i Policisë së Shtetit, Artan Cuku, ka fituar pavdekësinë pas vrasjes për shkak të detyrës nga falangat e krimit të organizuar.

Por kjo ka ndodhur në vlerësim të jetës dhe veprës së tij nga institucione prestigjioze vendase e ndërkombëtare. Përveçse ka marrë të gjitha vlerësimet dhe dekorimet që meritonte, “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” (pas vdekjes) nga Presidenti i Republikës; “Medaljen e Nderit” pas vdekjes nga ministri i Brendshëm me motivacionin “Për merita dhe shërbime të veçanta në luftën ndaj krimit, sigurimit të rendit e të qetësisë publike, Artan Cuku është përfshirë në librin me 50 vrasjet më të rënda në botë për arsye shtetërore.

Libri titullohet: “Faces os Assassination” (“Fytyra e vrasësve”) i hartuar nga një grup ekspertësh nga e gjithë bota dhe është botuar nga organizata prestigjioze “Iniciativa globale kundër krimit transnacional” (“Global Initiative against Transnational Organized Crime”) me qendër në Gjenevë të Zvicrës.

Komisar Artan Cuku, ndërsa para dy javësh do të nderohej në festën jubilare të 110- vjetorit të Policisë së Shtetit, sot (25 janar 2023) do të festonte ditëlindjen e 48-të, i rrethuar jo vetëm nga familja e tij, por edhe nga miq e shokë të shumtë. Jo vetëm nga Lura ku lindi, u rrit, kaloi fëmijërinë e nga ku mori shkollimin bazë, por edhe Tirana, Shkodra, Tropoja, Vlora, Fieri, Berati e pothuajse nga e gjithë Shqipëria.

Kjo, për faktin se ai mbetet në kujtesën e çdo punonjësi të Policisë dhe çdo njeriu që e ka njohur e punuar me të si simbol i vlerave të larta njerëzore, inteligjencës, besnikërisë, moralit të lartë, si drejtues i talentuar i Policisë, intelektual me vlera, vendimmarrës kurajoz dhe me performancë të lartë. Drejtuesi i Parë i Policisë së Shtetit, Artan Cuku, sot do të ishte 48 vjeç, sikur dora kriminale të mos e kish këputur jetën e tij në moshën më të mirë, para 6 vitesh.

Më datën 08.04.2017, rreth orës 20:10, Ai u vra duke hyrë në shtëpinë e tij në “Rrugën e Kosovarëve, Tiranë, fakt për të cilin Prokuroria për Krimet e Rënda kreu hetimet në kuadër të Procedimit Penal nr.139/2017 dhe në përfundim të hetimeve, organi i akuzës ka konkluduar se vrasja e tij është kryer në bashkëpunim, për shkak të detyrës së tij, gjatë kohës kur ushtronte funksionet e Drejtorit të Drejtorisë së Policisë Qarkut Vlorë, krim i parashikuar nga nenet 79/b e 25 te Kodit Penal (“Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”).

ARTAN CUKU “QYTETAR NDERI I KAMZËS”, EMRIN E TIJ MBAN PALLATI I KULTURËS SË QYTETIT

Dhjetë muaj më parë (më 10 prill 2022) Pallati i Kulturës Kamzë mori emrin e ‘Dëshmorit të Atdheut’, Artan Cuku. Kryebashkiaku Rakip Suli: Nismës së Policisë së Shtetit për përjetësimin e policëve të rënë nga dora e krimit, iu përgjigj e para Bashkia Kamzë dhe kryebashkiaku Rakip Suli, duke ndërmarrë këtë hap, për vendosjen e emrit të Pallatit të Kulturës “Artan Cuku” dhe shpalljen e tij “Qytetar Nderi i Kamzës”.

Në ceremoninë e zhvilluar morën pjesë ministri i Drejtësisë, Z. Ulsi Manja, kryetari i Bashkisë Lezhë, z. Pjerin Ndreu, dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Gledis Nano. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se Dëshmorët e Atdheut janë pjesa më e ndërgjegjshme e vendit dhe se nuk duhet të ketë më policë të vrarë. Ish-kreu i Policisë së Shtetit, Nano, gjatë fjalës së tij deklaroi se është i emocionuar për këtë hap në nderim të ‘Dëshmorit të Atdheut’, ndërsa shtoi se nuk duhen harruar kurrë sakrificat e burrave dhe grave të policisë së shtetit.

Ndërsa falënderoi Këshillin e Bashkisë Kamzë për vendosjen e emrit e Artan Cukut Pallatit të Kulturës në Kamzë dhe shpalljen e tij ‘Qytetar Nderi’, Nano shpreh bindjen se shumë është folur, por edhe më shumë do të flitet për Artan Cukun. Po, ashtu është. Emri i Artan Cukut, i skalitur me germa të arta në fasadën e këtij institucioni të rëndësishëm kulturor, është evident në çdo aktivitet, shfaqje tetrale e promovimi librash, i skalitur edhe më mendjen e zemrat e dhjetëra mijëra spektatorëve që i ndjekin këto shfaqje. Teksa ndodhem mes tyre, më vijnë ndërmend vlerësimet e kolegëve Dr. Hasan Shkëmbi e Gëzim Loka, të cilët në artikujt e tyre e kanë vlerësuar ‘Dëshmorin e Atdheut’, Artan Cuku, si meteorin që s’do shuhet kurrë, krenari të Lurës dhe të gjithë Shqipërisë.

Ndërsa shokët dhe kolegët vlerësojnë se Artan Cuku kishte aftësi të rralla lidershipi si Drejtues i Lartë i Policisë së Shtetit, me afro 17 vjet përvojë pune. Ai ka iniciuar, drejtuar dhe menaxhuar hetime të rëndësishme në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda. Aftësitë e tij të veçanta organizative dhe manaxheriale, vinin si rezultat i ngritjes graduale në karrierë dhe trajnimeve profesionale të vazhdueshme duke filluar nga niveli “Inspektor” terreni e deri në gradën e lartë policore drejtuese “Drejtues i Parë”. Për këtë mjafton qoftë dhe një lexim i përciptë i dosjes së tij personale për të mësuar se , gjatë gjithë karrierës të gjitha vlerësimet e punës ndër vite, kanë qenë të nivelit “shumë mirë”.

Pikërisht për këtë karrierë të shkëlqyer profesionale dhe akademike, ai është vlerësuar me disa tituj nderi, medalje e dekorime, ndër të cilat përmendim Titullin “Qytetar Nderi i Dibrës” (pas vdekjes), dhënë nga Këshilli Bashkiak Dibër me motivacionin: “Për vlerat profesionale, për kontribut të lartë në strukturat e policisë së shtetit, sakrificën e pashembullt dhe pa kompromis në luftën kundër krimit të organizuar si dhe lartësimin e vlerave morale, historike dhe fisnike të trevës së Lurës dhe Dibrës”. Po ashtu 5.Këshilli i Qarkut Dibër, me Vendimin Nr. 19 Datë 27/ 06/2019, i ka akorduar Artan Cukut titullin: “Nderi i Qarkut Dibër” (pas vdekjes) me motivacionin: “Për vlerat e veçanta njerëzore, kontributin e lartë në strukturat e Policisë së Shtetit, sakrificën e pashembullt dhe pa kompromis në luftën kundër krimit të organizuar si edhe lartësimin e vlerave morale, historike dhe fisnike të Qarkut të Dibrës”.

Vlerësimet e këshillave bashkiakë Kamzë e Dibër, veç të tjerash bazohen edhe në vendim nr. 770, datë 02.04.2019 të Komisionit Qendror të statusit “Dëshmor i Atdheut” ku ka shpallur Artan Cukun “Dëshmori i Atdheut” dhe familjes së tij i ka dhënë simbolin “Familje e Dëshmorit të Atdheut”. Emrin e ish-kryekomisarit Artan Cuku e mban rruga që të dërgon për te muzeu i Dibrës në qytetin e Peshkopisë. Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehum, thotë se është nder dhe krenari që emri i Artan Cukut të jetë i dukshëm çdo ditë për qytetarët dibranë.

14 VITE NË DETYRA E FUNKSIONE TË RËNDËSISHME

Artan Cuku lindi më 25.01.1975 në fshatin Lurë e Vjetër të rrethit Dibër. Ishte fëmija i katërt i Sulejman dhe Nurije Cukut. Arsimin fillor dhe 8-vjeçar e përfundoi në Fushë-Lurë, ndërsa arsimin e mesëm të përgjithshëm e mbaroi në qytetin e Peshkopisë. Pas përfundimit të arsimit të mesëm, në vitet 1994-1996, ka punuar si mësues në shkollën e mesme “Nikoll Kaçorri” Lurë.

Në vitet 1997-2000 mbaroi Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari” me rezultate të shkëlqyera, duke marrë titullin “Specialist i Lartë i Policisë”. Për sa i përket shkollimit, Artan Cuku, në vazhdim, gjatë karrierës së tij, përfundoi pa shkëputje nga puna, studimet për Drejtësi në nivelet Bachelor dhe Master e më pas iu nënshtrua provimit të avokatisë, ku mori titullin “Avokat”, profesion të cilin nuk e ushtroi asnjëherë. Gjithashtu ka kryer me sukses me dhjetëra kurse e trajnime të ndryshme si brenda dhe jashtë vendit, të organizuara nga Institucionet Ligjzbatuese Shqiptare, Evropiane dhe Amerikane, përgjatë periudhës 2000–2014.

Në harkun kohor të 14 viteve (2000-2014) të karrierës së tij në Policinë e Shtetit ai shërbeu me devotshmëri e përkushtim të rrallë, duke kryer më së miri funksione të rëndësishme, si: Shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë të Malësisë së Madhe; Shkodrës, Durrësit e Nr.4 në Drejtorinë e Policisë Tiranë; Specialist Drejtimi në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë; Shef i Komisariatit të Policisë Tropojë; në Berat në Sektorin kundër Akteve Terroriste etj. Por karriera e tij shënon rekorde si Zëvendësdrejtor i Policisë të Qarqeve Vlorë, Fier, Berat e Tiranë. Për 4 vite si Zv. Drejtor i Policisë në katër qarqe ka përballuar sfida të mëdha.

Zëvendësdrejtori i Qarkut në atë kohë ishte drejtuesi më i lartë i hetimit të krimeve. Artani dërgohej në Qarqet ku ishin problemet delikate që duheshin zgjidhur dhe angazhimi i tij i pakursyer jepte rezultate të dukshme. Në këto vite janë kryer hetime spektakolare dhe janë finalizuar operacione të rëndësishme. Pas vitit 2011, Artani transferohet për të kryer detyrën e Shefit të Sektorit Kundër Pastrimit të Parave në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, detyrë të cilën e kreu për rreth një vit.

Ky ishte një drejtim i ri i punës së Artanit, por një prioritet i kohës për policinë. Karriera e Artan Cukut kulmon në detyrën e Drejtorit të Policisë Qarkut Vlorë, nga fillimi i vitit 2012 deri nga fundi i vitit 2013. Kjo është koha me e lavdishme për Artanin, koha më e mirë dhe për qytetarët e Vlorës. Duke pasur mbi supe këtë detyrë të rëndë dhe peshën e përgjegjësisë në drejtimin e policisë së Qarkut Vlorë, Artani me stafin e tij bënin diferencë të theksuar nga gjithë qarqet e tjera në punë, në rezultate e në performancë.

Aksione spektakolare u finalizuan në Vlorë, disa herë personalitete të policisë italiane dhe ambasadori italian shiheshin në konferenca shtypi në krah të drejtorit të suksesshëm Artan Cuku duke prezantuar finalizimin e operacioneve që partnerët evropianë i dëshironin aq shumë. Nga fundi i vitit 2013, pas ndryshimeve politike që ndodhën në Shqipëri, Artani u transferua nga Vlora dhe deri në qershor 2014 ka punuar në Drejtorinë e Studimeve Strategjike në Policinë e Shtetit derisa u lirua nga Policia pa asnjë shkak.

KOMISAR CUKU NË PANTEONIN E PËRJETSHËM

Kur kishte kaluar më shumë se një vit nga vrasja, ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, do të publikonte një letër të pazakontë, kur nga bota e të gjallëve i shkruhet dikujt në botën e përtejme; pa adresë, pa emër qyteti, lagjeje, rruge… Një i gjallë po i shkruante një të vdekuri…

Kjo, sipas Zotit Prençi (tashmë edhe poet e prozator ndër më të njohurit nga lexuesit, pas botimit të romanit të tij “ANJA”), për faktin se ish-drejtuesi i Parë i Policisë së Shtetit, Artan Cuku, ka zënë vend në panteonin e përjetshëm. Dhe… “ siç thonë librat e shenjtë, heronjtë zënë vend të merituar pas shenjtorëve në atë botë”. Ish-numri një i institucionit më të lartë ligjzbatues vlerëson se Artan Cuku sakrifikoi shumë për ligjin. Ai dhuroi gjithçka për rendin në këtë vend me plot halle e derte.

“Njerëz si ti ishin të rrallë, por njerëz si ti ngjallnin besimin për një të ardhme më të sigurt, më të mirë. Sa shpresa kishim, Artan, sa ëndrra, të cilat janë tretur e janë harruar tashmë. Unë si ish-shoku dhe kolegu yt dua të të njoftoj me anën e kësaj letre se çfarë çudirash ndodhin në vendin tënd, në vendin tim para dhe pas një Vetingu, para dhe pas një reforme, para dhe pas një ëndrre, para dhe pas një shprese… Vdekatarë jemi të gjithë në këtë botë, por kur ikën në atë botë me nder, prosperitet e dinjitet, të gjallët kanë ç’të thonë, kanë ç’të shkruajnë, kanë ç’të kujtojnë.

Ti e mbylle me nder dhe ne shpresojmë të mos turpërohemi, Artan, deri sa të kemi frymën e deri sa të vijmë atje, në botën e paqtë. Thonë se burri ka kohë të turpërohet edhe pak sekonda para vdekjes. Këto soj burra shtetarësh që na drejtojnë sot, nuk e kanë këtë merak Artan”, shkruan Ahmet Prençi. Vrasja e Drejtuesit të Parë, Artan Cuku, është radhitur si një nga vrasjet më të bujshme të shtetit shqiptar në këto njëqind vitet e fundit dhe është përshkruar në librin “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar (në të gjitha trojet shqiptare)” të autorit Roland Qafoku. Figura dhe personaliteti i Artan Cukut është përshkruar edhe në librin: “PERSONALITETET E DIBRES (Enciklopedia e Dibrës 3)” të autorit Fatos Daci-Mjeshtër i Madh..

Për Artan Cukun pas vdekjes janë shkruar dy libra: “ARTAN CUKU In memoriam”, ideuar dhe përgatitur nga ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prenci, në bashkëpunim me gazetarë, politikanë, ish-pedagogë, ish-eprorë, ish-kolegë të Artanit etj., si dhe “Jam pri’ Lure” të autorit Fatos Daci. Gjithashtu është realizuar edhe dokumentari me titull: “In memoriam Artan Cuku”, realizuar nga Ardita Bala dhe Verjana Abazaj. Për Artanin kanë shkruar dhe kanë folur personalitete të shumta të fushave të ndryshme duke vlerësuar lart figurën e tij. Në këtë ditëlindje të tij, shokët dhe miqtë, deri drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, shprehen se janë shumë mirënjohës dhe përulen me respekt para jetës dhe veprës së Artanit, të cilën ai ia përkushtoi me vetëmohim mbrojtjes së jetës së qytetarëve të vendit të vet.

Mjeshtër i Madh

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura