PD-PS, prishet konsensusi për ligjin e medias

Nov 22, 2012 | 11:48
SHPËRNDAJE
Komisioni Parlamentar i Medias

Prishet konsensusi PD-PS për miratimin e projektligjit të mediave audio-vizive. Dje, ekspertët e KKRT-së kanë bojkotuar mbledhjen e Komisionit të Medias, me argumentin se janë ndier të ofenduar nga deklaratat e deputetit të PS-së, Alfred Dalipi, i cili i cilësoi ekspertët si të njëanshëm dhe partiakë. Në mbledhjen e djeshme nuk është mundur të miratohet asnjë nen dhe mbledhja është shoqëruar me debate të ashpra midis socialistit Alfred Dalipi dhe demokratit Gent Strazimiri. Deputeti i PD-së kërkoi nga të majtët t’u kërkojnë falje ekspertëve: “Ata nuk janë as skllevër, as bujkrobër; ata janë funksionarë të këtij shteti, që vijnë këtu me dinjitetin e këtij shteti. Minimumi që mund të bëni, është t’i thoni që ka qenë një keqkuptim dhe nuk ka qenë qëllimi i kolegëve për t’i fyer. Maksimumi do ishte t’i thoshit na falni”.

Debati ne komision
Alfred Dalipi:
I thonë shtet kriminal, nisur nga fakti që ka vrarë. Nuk po i themi atij të RTSH-së që në një ekran publik ku opozita nuk e gjen veten, as nuk e shikon fare, unë duhet të ndihem i fyer, jo ai.
Gent Strazimiri: Sa për RTSH-në që s’të pëlqen sot, ti e ke çuar Pjetër Arbnorin 10 ditë grevë urie për fjalën e lirë, për atë RTSH që ti drejtoje dikur. Në qoftë se do atë RTSH, ajo nuk kthehet më kurrë. Në qoftë se më thua se fjala e lirë për ty është më e shtrenjtë sesa ka qenë për Pjetër Arbnorin, ti thjesht gënjen.
Fatmir Toçi: Pjetër Arbnorin ju e hoqët qafe, flet kot tani.
Gent Strazimiri: Ke pasur katër deputetë të opozitës jashtë duke bërë grevë atje, Azem Hajdarin e plagosur dhe Pjetër Arbnorin, Mandelën e Shqipërisë.
Fatmir Toçi: Ndaj e përdhosët atë Piramidën ju, që mbante emrin e tij.
Alfred Dalipi: Mos përmend ti ata që i ka hequr qafe ai që të ka bërë ty deputet.
Fatmir Toçi: Ju i zhdukët emrin atij, bashkë me Piramidën. Se nuk e duroni dot emrin e Arbnorit ju. Ku keni ju moral të flisni për simbole dhe për figurën më historike të këtij vendi?!
Gent Strazimiri: Nuk ju beson njeri ju që, pasi e dënuat me 28 vite burg, ju dhimbset Pjetër Arbnori. Këtë s’jua beson njeri. Atë RTSH do ti që, nga redaksia e Zërit të Popullit, i ke çuar në RTSH, në redaksinë e lajmeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura