Partizani i ul rrogën Edgar Çanit, do të marrë vetëm 6 mijë euro në muaj

May 31, 2018 | 21:44
SHPËRNDAJE

I ardhur me shumë bujë gjatë merkatos së verës, Edgar Çani rezultoi një dështim te skuadra e Partizanit, duke zhgënjyer drejtuesit dhe tifozët e kuq. Sulmuesi shtatlartë që ka veshur në të kaluarën edhe uniformën e Kombëtares ka vuajtur nga një dëmtim i gjatë në gju që e ka lënë jashtë fushave të blerta.

Cani

Vetëm 499 minuta në një sezon dhe vetëm një gol për një lojtar që ka firmosur dy vite kontratë me një pagë mujore prej 20 mijë eurosh, janë shumë pak. Por, te skuadra e kuqe rroga e Çanit ka ardhur në ulje, për shkak të mosaktivizimit të tij, ndërsa sulmuesi një pjesë të madhe të kohës e ka kaluar në palestër dhe në stërvitje të diferencuar.

Gjithsesi, ai do të mbahet mend për golin e shënuar në kampionat ndaj Flamurtarit në muajin mars në fazën e tretë të kampionatit, ku u dha të kuqve trepikëshin. Gjithashtu Çani ka arritur të shënojë edhe një gol në Kupën e Shqipërisë ndaj Naftëtarit, por që është shumë pak për një lojtar nga i cili pritej shumë.

E ARDHMJA

Me një prezencë të ulët në formacionin e kuq, Çani shihej si një nga largimet e sigurta nga Partizani me hapjen e merkatos së verës. Por, kontrata dyvjeçare që ai ka me klubin, i bën këta të fundit që të reflektojnë në lidhje me marrëdhënien që do të kenë me futbollistin në vijim. Gjithsesi, për momentin pa ardhur trajneri i ri, që me shumë gjasa do të jetë kroati Tokiç, nuk do të bëhet asnjë lëvizje.

cani-2-470x313

Por, burime të besueshme pranë klubit të kuq kanë konfirmuar se Çani do të vazhdojë të qëndrojë te “demat”, por me një ndryshim të ndjeshëm në pagë. Ai do të ulet në bisedime me drejtuesit dhe do t’i propozohet një pagë rreth në 6 mijë euro në muaj.

Një ide e tillë i është bërë me dije edhe lojtarit, që parimisht ka pranuar, por do të ketë edhe një raund të dytë bisedimesh. Një akord i tillë u shërben dy palëve, pasi 28- vjeçarit i duhet një skuadër ku të rifitojë formën e tij më të mirë fizike, ndërsa Partizani shpëton nga pagesa e madhe në drejtim të futbollistit dhe shpreson që ai të jetë i vlefshëm në sezonin e ri. Gjithsesi me zyrtarizmin e trajnerit që do të drejtojë ekipin sezonin e ri, drejtuesit do të nisin edhe lëvizjet konkrete.

ARMAND HALIL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura