17 Shtator, 2018

Xhemi Shehu nuk mjaftohet me televizionin, jashtë ekranit i dedikohet biznesit


Pas disa vitesh që iu bashkua stafit të spektaklit të humorit “Portokalli”, si moderatore në treshen me Salsano Rapin dhe Eneda Tarifën, tashmë Xhemi Shehu është shndërruar në kryepersonazhin e show-t. Përveç moderimit, ajo ka bërë përshtypje me talentin e saj të aktrimit në rubrikën “Atentatet”, ku gjatë interpretimit u bashkohet dhe Florian Binaj. Për këtë sezon të ri, ajo ka konfirmuar vazhdimin e punës në “Top Channel”, duke postuar një foto nga ky televizion me dy miqtë e saj, Arbana Osmanin dhe Eno Popin.

Në postimin ku uron Enon për programin e ri ka marrë komente nga miqtë, të cilët i etiketojnë si “figurat relike” të këtij televizioni, pas largimeve të shumta. Ndërkohë, mësohet se Xhemi do të vazhdojë të njëjtin angazhim në televizion, si prezantuese e spektaklit të humorit në krah të Salsano Rrapit. Por puna në televizion nuk është i vetmi angazhim i nënës së dy djemve. Ajo është e angazhuar paralelisht me një qendër estetike në Tiranë, për trajtime bukurie.

Xhemi kështu i shtohet listës së vajzave të ekranit, që përveç punës në televizion, menaxhojnë bizneset e tyre paralelisht, mes të cilave; Valbona Selimllari, Alketa Vejsiu, Amarda Toska, Rozana Radi etj.. Sa i takon showt ajo vjen edhe këtë herë si protagoniste e roleve më emblematike të kinemasë shqiptare ndër vite, kësaj here në formën e parodisë, që padyshim ka dhe ajo specifikën e vet në aktrim. Deri tani e kemi parë se shpesh në ngjyrat bardhë e zi ajo ri sjell në kohë dhe nota humori personazhet e famshme femërore të ish-Kinostudios “Shqipëria e re”, eksperiencë që e ka filluar me filmat: “Njeriu me top”, “Shpyllëzimi i lirisë’, “Rrugë të bardha”, “Gjeneral Gramafoni”.

Pas largimit të Eneda Tarifës nga “Portokalli”, për të ndjekur turin e Festivalit Europian Xhemin e pamë protagoniste në role kryesore si; ish-shoqja e Benit te “Beni ecën vetë’, partizanin dyshues te “Dueli i heshtur”, apo Madalenën e rraskapitur nga xhelozia e të shoqit te “Fjalë pa fund”. E pyetur në një intervistë nga gazeta “Panorama” për talentin e saj të fshehur si aktore dhe këtë eksperiencë ndryshe në punën e saj shumëvjeçare në televizion, ajo është shprehur: “Nuk kam ç’të them tjetër përveç që më gëzon fakti që njerëzit më kanë pritur mirë në këto role”.

Moderatorja e njohur e disa formateve shumë të rëndësishme në televizion, u rikthye në spektaklin e humorit “Portokalli”, disa vite pasi ajo ishte pjesë e prezantimit përgjatë një sezoni në vitin 2006, bashkë me moderatorët e asokohe, Agron Llakaj dhe Amarda Toska. Shumë pak kohë pas lindjes së djalit të dytë, Gabriel, Xhemi Shehu u rikthye në ekranin e “Top Channel” pikërisht si moderatore e të njëjtit spektakël “Portokalli”, ndërkohë që e kishim parë në programe të rëndësishme për vite me radhë. Nga java në javë, ajo u pa të dilte nga kornizat e thjesht prezantueses së çlirët para kamerave, duke u shfaqur si një “show girl”, ashtu siç është dhe tendenca për personazhet televizive, që dinë t’i bëjnë të gjitha në ekran.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al