25 Gusht, 2018

U përfolën për lidhje dashurie, të gjitha aventurat me partnerë të ndryshëm të Mërgim Mavrajt dhe Adea Pulës


Pak ditë më parë, në media u përfol për një lidhje sentimentale mes futbollistit të famshëm Mërgim Mavraj dhe këngëtares Adea Pula. Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë përflitet shumë në media se do të vijojë karrierën në Greqi, por kjo ende nuk është zyrtare. Gjithsesi, ai ka zgjedhur të kalojë momente të mira në shoqërinë e këngëtares shqiptare Adea Pula nga Kosova.

Të dy janë fotografuar pak ditë më parë, ndërsa shfaqen shumë pranë njëri-tjetrit teksa bisedojnë shtruar. Thashethemet tashmë janë shpërndarë dhe përflitet për një lidhje mes të dyve. Por nëse shkojmë pas në kohë, shohim se mes Mërgimit, djalit 32-vjeçar, i cili ka lindur në Gjermani dhe Adeas, 23- vjeçare nga Gjkova, ka disa të përbashkëta. Që të dy janë përfolur shumë, më herët, për jetën private plot aventura.

Adea, vajza bionde me linja trupore të hatashme, e cila ka filluar të këndojë që e vogël, çuditërisht këto kohë i është larguar muzikës. Për momentin ajo është mjaft aktive në ushtrimet fizike ku edhe poston fotografi të ndryshme kohë pas kohe në rrjetet sociale. Mbase po përgatitet për një rikthim marramendës ku përveç këngëve dhe klipeve të bukura, t’i kënaqë simpatizantët e saj edhe me dukjen e saj të përsosur. Ndërkohë, nuk kanë munguar thashethemet për jetën e saj private, për lidhje me djem të famshëm.

Në mars të këtij viti, u fol se djali i Presidentit, Hashim Thaçi, Endriti, mund të jetë në një lidhje me modelen dhe këngëtaren Adea Pula. Endriti ka tërhequr vemendjen në mediat shqiptare, kryesisht për jetën e shtrenjtë që ai bën. Ndërkaq, djali i Presidentit Thaçi më parë është përfolur për romanca me aktoren Arta Nitaj dhe modelen Drita Stublla.

Kujtojmë se Adea u përfol dikur se ishte e lidhur me djalin e Ardit Gjebreas, i cili sot është i fejuar me dikë tjetër. Përsa i përket jetës së Mërgimit, ai ka pasur mjaft zhvillime në karrierën e tij si futbollist. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, nuk do të jetë më pjesë e Hamburg në Bundesliga.

Palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të prishur kontratën mes tyre pas një viti e gjysmë me uljengritje. Mavraj iu bashkua Hamburg-ut në janarin e vitit 2017, në të cilin ishte titullar i padiskutueshëm. Por që në janarin e vitit 2018, ai fillimisht përfundoi në stol e më pas u dënua me kalimin tek U-21, duke e bërë të pamundur vazhdimësinë e marrëveshjes mes palëve për sezonin e ri. Lojtari bëri të ditur vetë në rrjete sociale se ishte larguar nga klubi gjerman.

“Një kontratë prishet, asnjëherë një lidhje emocionale”, – shkruante futbollisti. Përsa i përket jetës private, ai është përfolur për një lidhje me një vajzë gjermane, e cila quhet Liza. Në vitin 2017, pas 4 vitesh lidhjeje, Liza dhe Mërgimi u ndanë. Ndërkohë, biondja seksi në profilin e saj e akuzoi ish-të dashurin se e kishte tradhtuar plot 35 herë.

“Asnjë mysliman nuk është kështu”, shkruante ajo e revoltuar, pasi siç e dimë, Mavraj është besimtar. Më vonë kishte të tjerë zëra, të cilët thonin se Liza e ka falur dhe çifti është rikthyer. Tashmë, në këtë rrëmujë lidhjesh, ndarjesh dhe ribashkimesh, nuk di het se me kë po rri Mërgimi, as Adea. Për sa kohë vetë ata nuk flasin, mediat vetëm mund të hamendësojnë, duke u përpjekur të kapin detaje, që ata vetë i bëjnë publike, por edhe ndonjë foto paparazzi si ai i para ca ditëve.

 

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al