19 Tetor, 2018

U mbyll dyqani pasi priti 7 orë për të blerë kanabis, zë radhë sërish në mëngjes herët


Pas dy ditësh që Kanadaja legalizoi kanabisin, disa dyqane kanë lajmëruar policinë në mënyrë që të mbajnë nënkontroll personat që shkojnë për të blerë.

Mediat e huaja shkruajnë se këtë të enjte ka patur radhë të gjatë jashtë pikave të shitjes së kanabisit, por ka patur gjithashtu edhe mungesë furnizimi në pjesë të shumta të vendit.

Madje në këto pika shitjesh, shumica e konsumatorëve dukeshin të harbuar dhe shprehnin zhgënjimin se nuk mundën të blinin kanabis në ditën e parë të ligjshmërisë së lëndës narkotike.

Të mërkurën, një 30-vjeçar ka pritur mbi 7 orë në radhë përpara një dyqani në qendër të qytetit të Montrealit. Por Alexandre është larguar nga aty pa blerë gjë në orën 21 të mbrëmjes.

“Ishte një ferr i vërtetë, bënte shumë ftohtë. Por ishte diçka e gëzueshme. Flisnim me njerëz të ndryshëm në turmë dhe ndanim përvojat tona”, tha Alexandre.

Ky i fundit u rikthye sërish të enjten në mëngjes, për të tentuar edhe njëherë blerjen e kanabisit. “E mërkura ishte dita që e prisnin të gjithë, pa përjashtim. Besoj se, pak nga pak, radhët do të rreshtin së krijuari”, tha ai.

Ndërkohë 41-vjeçarja Genevieve Despres ishte me fat pasi e bleu lëndën narkotike që të mërkurën. Ajo e përshkruan skenën si “shumë miqësore”. “Kënduam, qeshëm dhe bëra miqësi të re. Nuk është se tymos shumë, por duke qenë një ditë historike në Kanada, thashë që ta provoj”, ka hënë ajo.

Gjithashtu ka edhe nga ata persona që ankohen për çmimin relativisht të lartë, i cili varion nga 5.25 dollarë kanadezë (4.02 USD) në Quebec e deri në 18.99 dollarë kanadezë në Saskatchewan për gram, – krahasuar me tregun e zi ku kanabisi qarkullonte për një çmim mesatar prej 6.79 dollarësh kanadezë për gram.

Panorama Plus

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al