18 Mars, 2018

Top hitet e marsit 2018, ja cilat janë këngët më të pëlqyera shqiptare


Tashmë, nuk kemi kohë për ta shijuar si duhet një këngë të re, pasi menjëherë vëmendjen e saj e merr një tjetër. Duhet thënë se prej disa vitesh, këngëtarët nuk mjaftohen me pak krijime si dikur. Klikimet në “Youtube” që përkthehen në para dhe koncertet e shumta që kanë emrat e njohur, kanë sjellë nevojën për të pasuruar sa më shumë repertorin.

Nga ana tjetër, edhe konkurrenca është rritur shumë. Këngëtarët e rinj që kanë dalë rreth 5 viteve të fundit, janë pozicionuar fuqishëm në tregun e showbizit dhe kanë gjetur menjëherë ndjekësit e tyre që janë të shumtë. Por emrat e njohur, gjithashtu, nuk ia lëshojnë fronin rivalëve.

Rrjetet sociale, gjithashtu, janë një armë e fortë që ata vetë të promovojnë karrierën e tyre. Ka plot raste, që kanë arritur të rrisin suksesin e tyre jashtë parashikimeve, jo për faktin se kanë pasur një talent të rrallë në të kënduar, sesa një aftësi të spikatur për marketing.

Ne i jemi referuar Arkës shqip për të parë se cilat janë 10 këngët më të klikuara, të lançuara në muajin mars 2018. Cilët këngëtarë kanë bërë një fillim të fuqishëm të këtij viti? Nuk mungojnë kampionët e përhershëm, por ka edhe surpriza.

Ndiqeni më poshtë.

1.Capital T dhe Majk kanë bërë bingo me këngën e tyre të re “Pasha jetën”. Super të suksesshëm veç e veç dhe një bombë e vërtetë kur u bënë bashkë. Kënga e publikuar më 1 mars, ka arritur 7,7 milionë klikime deri tani.

2.Noizy, një këngëtar i muzikës rap, super i suksesshëm dhe mbi të gjitha një superprodhimtar, ka sjellë këngën “Mbretëresha ime” më 8 mars. Kënga u pëlqye dhe u dëgjua shumë, plot 2,5 milionë herë deri tani.

3.Samanta Karavella dhe Ermal Fejzullahu kanë bërë një bashkëpunim shumë interesant. Kënga “Faj”, e publikuar më 2 mars, ka rezultuar një sukses, sepse ka marrë deri tani 2,6 milionë klikime.

4.Ermal Fejzullahu dhe Ledri Vula me këngën “Fshatarja ime” janë gjithashtu kampionët e marsit. Është publikuar më 10 mars dhe deri tani ka rreth 1,4 milionë klikime. Kënga nuk është një risi në repertorin e Ermalit, ai vijon të lëvrojë të njëjtin stil, me të cilin ka qenë gjithnjë i suksesshëm dhe i pëlqyer.

5.S4MM me këngën “Mad Ting” është publikuar më 4 mars dhe ka arritur të mbledhë 1,2 milionë klikime.

6.Gold AG vjen këtë fillimvit me këngën “Kili mili”. Kënga e reperit të njohur, e publikuar më 8 mars është parë në “Youtube” deri tani 560 mijë herë.

7.Skivi i labelit Baba Stars, gjithashtu është pjesë e top listës së marsit. Padiskutim që është një nga këngëtarët më të pëlqyer te të rinjtë. Ai ka publikuar më 3 mars këngën “Dita nata”, një këngë kjo e klikuar 500 mijë herë.

8.Ardian Bujupi X Hoo-ss vijnë me CÔTE D´AZUR. Kënga është publikuar me 9 mars dhe ka mbledhur 250 mijë klikime.

9.Big Mama ka sjellë një këngë të re më 7 mars, “I len krejt”. Kënga është pëlqy-er që në prezantimin e parë dhe është klikuar 167 mijë herë.

10.Kanita, vajza që u rrit në skenë, që ka provuar kompeticione të forta, ia ka dalë të tërheqë vëmendjen tonë me një këngë të kënduar në anglisht. “They Said” është publikuar më 10 mars dhe deri tani ka grumbulluar 78 mijë klikime. Për një muzikë që nuk është komerciale, është një rezultat premtues.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al