13 Gusht, 2019

Syarta, biondina që vjen nga Zvicra për të sjellë surpriza në muzikë


BLERAND REXHEPI/ Vetëm pak kohë më parë, ajo solli një këngë me titull në gjuhën angele, “Intentions”. E prodhuar nga Zapp&Chriss, Syarta me origjinë nga Kërçova e Maqedonisë, por që jeton e punon në Zvicër, duket se ka gjetur ngrohtësi në publik. Ajo po bëhet gati që këtë sezon të sjellë një tjetër këngë të re, të cilën, siç edhe thotë vetë, është në stilin e saj. Biondina bukuroshe Syartë tregon më shumë për karrierën dhe pasionet, mbështetjen e saj dhe shumë e shumë gjëra të tjera, të cilat do t’i lexoni në këtë intervistë.

Syarta, e dimë si erdhe me “Intentions”, por në ç’version të sjell kënga e re, të cilën ti ke thënë se do vijë shumë shpejt?

Ah, kënga e re është pikërisht në stilin tim, i përket tërësisht stilit që unë dua të përfaqësoj.

Çfarë arome mban tani që po flasim?

Dior. (Buzëqesh)

Emri yt përkthehet në anglisht edhe si “Goldeneye”. Pse nuk mbajte këtë emër arti?

(Qesh) Tani që po e mendoj do ishte mirë, por është më i dashur në shqip, ndan të njëjtin mendim me mua apo jo?

Diçka që do të doje ta ndryshoje në mënyrën si funksionojnë gjërat në muzikë aktualisht?

Ka shumë gjëra në tërësi sa nuk di nga t’ia filloj më parë. Shpresoj që gjërat të vijnë, duke u rregulluar gradualisht.

Ke bërë një hap në muzikë, për të cilën je penduar?

Nuk do ta thoja një gjë të tillë. Të gjitha janë në rregull, edhe pse nuk jemi perfekt dhe gabime bëjmë dhe mundohemi t’i rregullojmë, por mirë po ecin gjërat.

Kush i ka vendosur “rregullat” në karrierën tënde?

Derimë tani, unë me familjen time dhe besoj se kështu do të vazhdojë për shumë kohë.

Ndonjë gjë interesante që po ndodh në jetën tënde së fundi…

Dëshira e madhe dhe e veçantë që kam për muzikën, është gjëja më interesante që ka ndodhur dhe që vazhdon të ndodhë akoma. Për këtë jam shumë e lumtur. sepse është ajo që më mbush në jetë.

Çfarë duhet dhe çfarë bën që të zgjosh interesin e të tjerëve?

Asgjë tjetër. përveçse duke qenë kjo që jam.

Çfarë do ta bënte Syartën të skuqej?

Nuk e di, varet nga situata, nga rrethanat, nga njerëzit që më rrethojnë…

Një person, energjia e të cilit të përfshin?

Mamaja ime.

Për çfarë do ta doje edhe një shans?

Për diçka personale, që do të doja të mbetej e tillë.

Kujt do të doje t’i thoje: “Ti nuk je vetëm”?

Familjes sime. Çdonjërit prej tyre.

Çfarë do ta shëronte botën?

Respekti për njëri-tjetrin, për hapësirat e tjetrit.

Cila është këshilla më e vlefshme që të kanë dhënë?

Ji vetvetja.

Për çfarë të kanë gjykuar gabim dhe që po të të njihnin më mirë, do ta mendonin ndryshe?

Tani nuk më kujtohet ndonjë gjë, por ndoshta u jam dukur mendjemadhe sepse jam tip që nuk u jap konfidenca njerëzve që nuk i njoh, edhe pse ata mund të më njohin nga muzika, por nuk jam e tillë po të më njohin nuk jam e tillë.

Në cilat çështje vë në punë mendjen dhe në cilat zemrën?

Në punë vë mendjen, kurse në çështjet personale zemrën.

Nga grimi te fitnesi, cilat janë sekretet e tua të vogla për të qenë në formë?

Të dyja këto bashkë dhe shumë të tjera.

Vendet dhe eventet ku të pëlqen të jesh e pranishme?

Ato të rëndësishmet, të cilat prania ime do ishte kontribut dhe do ndihesha mirë.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al