8 Mars, 2019

S’lau mirë enët dhe nuk vari siç duhet rrobat në tel, gruaja mbyll bashkëshortin në papafingo


Meshkuj kujdes kur bashkëshortja ju lë një punë për të kryer, pasi nëse nuk e bëni ashtu siç duhet, mund edhe të ndëshkoheni.

Një rast i tillë ka ndodhur në Monteverde, një lagje e Romës, Itali. Një grua 48-vjeçare me origjinë nga Peruja është nevrikosur keq kur bashkëshorti i saj nuk lau mirë enët dhe nuk i vari rrobat në tel ashtu siç i kishte thënë ajo.

Mediat italiane shkruajnë se për çdo gabim të vogël, gruaja e mbyllte bashkëshortin në papafingon e shtëpisë. Mesa duket keqtrajtimet ndaj tij kanë vazhduar për vite të tëra, derisa erdhi momenti që vëllai i viktimës të denoncojë gruan.

Burri i cili dhunohej nga gruaja, e duronte gjithë këtë vetëm që të mos braktiste të birin, i cili jetonte në apartament me çiftin.

Sipas “TgCom24”, gruaja në raste të ndryshme, e kishte përzënë burrin nga shtëpia ose i hidhte ilaç rrobash në ushqim, për ta detyruar të nxitonte me punët e shtëpisë.

Si pasojë, prej shumë vitesh ai jetonte në një gjendje të keqe fizike dhe psikologjike.

Por tani për burrin ankthi mbaroi, pasi gruaja mori njoftimin e agjentëve të komisariatit të Monteverde, pas të cilit u detyrua të largohej nga shtëpia familjare. Gjithashtu policia i ka kërkuar asaj që t’i qëndrojë larg të shoqit.

© Panoramaplus.al