26 Qershor, 2018

Shota Baraliu: U ndava nga i fejuari pas një viti, kishim shumë gjëra që nuk na përputheshin


KLOTILDA HARKA/ Aktrimin e ka profesion, muzikën e bën për hobi. Shota Baraliu është artiste e vërtetë për mënyrën si mendon dhe koncepton jetën. E lirë, pa tabu dhe që di të përjetojë në maksimum çdo gjë të mirë që koha i ofron. Ajo vlerëson shumë dashurinë si ndjenja që e çon në ekstazë, por pas një viti e fejuar vjen lajmi i ndarjes. Për marrëdhënien që mori fund dhe prishjen e planit të martesës këtë verë, artistja i zbulon në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Një vit nga fejesa me djalin nga Kosova që jeton në Zvicër, Micin, vjen lajmi i ndarjes. Çfarë ndodhi mes jush?

Asgjë e keqe nuk ndodhi, thjesht përfundoi fejesa. Nuk eci më. Kishim shumë gjëra që nuk përputheshin me ne të dy dhe kështu vendosëm në qetësi t’i japim fund.

Mund të themi se distanca ishte ajo që ju çoi në prishje të fejesës, duke qenë se ti vazhdon karrierën në Prishtinë?

Pak dhe distanca, normalisht. Por njeriu kur vërtet do dikë, s’e besoj që distanca luan rol… Por kur gjërat fillojnë të ndryshojnë, atëherë çdo gjë të pengon…

Mund të themi se jeni ndarë keq?

Jo, s’jemi ndarë keq. Unë kam respekt për gjithë njerëzit e tij.

Ju madje kishit planifikuar dasmën këtë verë. Deri ku kishit arritur me planet e ceremonisë dhe krijimit të familjes?

Planet për martesë kanë qenë sigurisht në fillim të fejesës, por pastaj ndryshuan me kalimin e kohës.

Je shprehur se u fejove me djalin që njihje prej vitesh, i cili të kishte tërhequr me humorin. Është zhgënjim dashurie kjo histori?

Po, e kam njohur shumë kohë më herët, por kur jeton me dikë, atëherë e sheh nga afër për çdo gjë. Dhe gjërat ndryshojnë.

Po tani çfarë tip mashkulli do të kërkosh të kesh pranë vetes dhe në ç’aspekt do të bësh më tepër kujdes?

Tani do pushoj për një kohë (qesh). S’dua as të mendoj për mashkull. Dua të filloj projektet e mia që kisha lënë pas.

Njihesh si aktore dhe këngëtare. Ku do të shohim së shpejti?

Tani dua të filloj punë me një televizion, pasi kam në plan të prezantoj një format apo të filloj një emision timin. Le të mbetet për t’u parë në vazhdim.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al