10 Nëntor, 2017

Rrëfehet aktorja Anisa Markarian: Jeta e re si mjeke në Francë, dhe familja që kam krijuar


Aktorja e njohur e viteve 80’ –të Anissa Markarian ështe një nga personazhet e librit dixhital 50×50 i “Albanian Excellence”, realizuar nga Flora Nikolla. Në librin që do të promovohet më 12 dhjetor 2017 në Tiranë gjatë një mbrëmjeje gala, ku priten të marrin pjesë njerëz të njohur për suksesin e tyre në Shqipëri dhe në botë.

Autorja Nikolla, ka shkruar një status në Facebook ku shprehet: Anissa në një intervistë shumë të sinqertë për këtë libër, rrëfen ndjesi të vërteta që kanë të bëjnë me këtë personazh të njohur e të dashur nga shumëkush, rrëfen ndjesi që lidhen me jetën, profesionin, familjen. Në 50 pyetje, rrëfehet jeta e artistes që bëri sukses në vitet ‘80-të me filmat e saj, por që ka arritur të ketë plot sukses edhe si mjeke në Francë, por po aq edhe në letërsi, të cilën e shkruan me dashurinë për filmin në zemër. Më poshtë po citojmë për “Panorama” pyetjet që Flora Nikolla ka veçuar nga kjo intervistë:

Ç’mësime të nxjerra nga përvoja e jetës tënde u ke transmetuar fëmijëve?

Së pari, fëmijëve të mi nuk do t’ua uroja kurrë largimin nga vendi i tyre. Jo sepse dua t’u kursej vështirësitë që m’u desh të kapërceja si e mërguar, por sepse nuk dua që t’u këputen rrënjët familjare, shoqërore, kulturore e atdhetare. Nuk është e lehtë të rrënjëzosh në dhe të huaj. Së dyti, mësimet më të vyera ata do t’i përftojnë nga përvoja e vetë jetës së tyre. Atë ç’jam munduar t’u komunikoj është sidomos respektin për punën dhe dashuria për familjen. Edhe diçka tjetër: me fëmijët kam folur e flas për gjithçka pa përjashtim e në familjen tonë ia shprehim njeri-tjetrit dashurinë çdo ditë. Veçanërisht, më pëlqen t’u them fëmijëve të mi, paksa edhe me shaka: “Ju jam shumë mirënjohëse që më zgjodhët mua për nënë”.

Fëmijët të konsiderojnë si një nënë-shoqe?

Jo. Unë jam thjesht e vetëm nëna e tyre. Ma kanë kërkuar ata vetë, që kur ishin fare të vegjël. Dhe aq më mirë! Fëmija ka nevojë për modele në jetë dhe modelet e tij të para e më të forta janë pikërisht prindërit. Shoqet e shokët, shkojnë e vijnë./Panorama Plus/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al