21 Korrik, 2019

Rovena Domi: Çfarë fshihet pas pushimeve të mia prej milionereje në çdo cep të botës dhe miqësisë speciale me Philipp Plein


KLOTILDA HARKA/ Rovena Domi, Miss-i që solli çmimin “Miss Fotozhenia” në Shqipëri, me përfaqësimin e vendit në “Queen of the World 2010”, që u mbajt në Nurburgring të Gjermanisë para disa vitesh, po çudit rrjetet sociale me pushimet e luksit që bën.

Modelja që shëtit botën, pasi ka marrë ofertë për të luajtur si aktore në kinema, tregon për miqësitë e rangut të lartë, ku veçohet ajo me stilistin me famë botërore Philipp Plein dhe të dashurën e tij. Për pushimet e fundit në Santorini, jetën prej milionereje ku s’ka lënë vend të hartës pa shkelur dhe dashurinë stabël, edhe pse jeta e saj është në lëvizje, i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Të shohim që poston foto të bukura nga ishujt e Greqisë. Pse zgjodhe këtë destinacion, duke qenë se shpesh të shohim që shëtit Italinë?

Këtë verë zgjodha një nga ishujt e Greqisë, Santorinin, pasi vendet e tjera i kisha vizituar dhe doja të shijoja bukuritë e këtij ishulli.

Një ish-Miss që vetëm udhëton dhe lundron në luks. Si arrite ta bësh realitet jetën e ëndërruar të argëtimit?

Faleminderit për vlerësimin. (qesh) Sikurse e kam cituar dhe herë të tjera, është niveli i jetesës që kam pasur gjithnjë. E jetoj në mënyrën që e shoh më të përshtatshme për veten.

Shpesh të kemi parë të shoqërohesh me stilistin e famshëm Philipp Plein, dhe të dashurën e tij. Çfarë ju lidh bashkë dhe, a e kanë shprehur dëshirën ata për të vizituar Shqipërinë si çift?

Kontakti dhe njohja në fillim ka qenë rastësore në Cannes, në Festivalin e Filmit, por në Milano u ritakuam në javën e modës të Philipp Plein dhe në dyqanin në Montenapoleone. Më përshëndeti dhe meqë ishim në butik, na lidhi këtë herë prezantimi i koleksionit të ri i verës 2019, kështu biseduam mbi to. Për Shqipërinë ende jo. Nga takimi rastësor dhe i shpejtë nuk kemi biseduar me detaje për këtë.

Bën përshtypje te fotot e tua fakti që pozon gjithmonë vetëm. Kush fshihet pas tyre, pra kush është fotografi yt?

Nëse vendet që udhëtoj janë të bukura, shërbimi i fotografisë është gjëja më e thjeshtë për t’u realizuar aty, pasi janë efikas në këtë drejtim.

Duke të parë në rrjetet sociale, duket sikur jeton vërtet në parajsë. Çfarë ndodh me jetën tënde përtej rrjeteve sociale, cilat janë frikërat e tua më të mëdha?

Mund të them që është e njëjta jetë si në rrjetet sociale. Një nga frikërat e mia, edhe pse i evitoj gjithnjë ndjesi të tilla, është për shembull shpejtësia e makinës. E kam tej mase fobi.

Je e dashuruar dhe cili është sekreti për të mbajtur një lidhje stabël, kur vetë je gjithmonë në lëvizje?

Stabiliteti në një lidhje është shumë me rëndësi dhe fakti i të qenurit në lëvizje nuk ndikon negativisht nëse në mes nesh është mirëbesimi dhe respetkti reciprok.

E bukur, e re, e pasur. Çfarë propozimesh të çuditshme merr nga pasanikët?

Gjithnjë kam konceptuar atë që është më e mirë për veten në çdo kuptim dhe pranë vetes dua të kem njerëz të tillë me të njëjtin vlerësim.

Burri yt do të jetë shqiptar apo i huaj dhe ç’listë dëshirash do t’i paraqitje atij?

E ardhmja vendos gjithçka, mund të them që është diçka që nuk listohet, por që vjen spontanisht në jetë në momentin e duhur.

Nga udhëtimet e shumta, ke përjetuar ndonjë situatë të frikshme, për shembull të biesh pre e grabitësve?

Jo, fatmirësisht dhe uroj asnjëherë jo.

Kur vendos para syve hartën e botës, çfarë vendesh konstaton se ke ende pa shkelur?

(Qesh) Më mirë surprizë, por mund të them me bindje që në vijim do të jenë destinacione të largëta dhe të bukura.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al