27 Dhjetor, 2018

Rastësi apo fat? Ata lindën në të njëjtën ditë dhe quhen Romeo e Zhuliet


Romeo dhe Zhulieta janë dy të sapolindur, të cilët kanë ardhur në jetë vetëm me disa orë diferencë nga njëri-tjetri në të njëjtin spital në Shtetet e Bashkuara.

Gjëja që më së shumti kapi vëmendjen në këtë histori, përveç rastësisë së emrave të tyre dhe kohës së lindjes, ishte mënyra me të cilën prindërit e tyre e festuan ardhjen e tyre: një seri fotosh si Shekspiri!

Fillimisht, prindërit nuk e kishin idenë për rastësinë e bukur, por Cassie Clayshulte, një fotografe e spitalit të Karolinës së Jugut, kuptoi se çfarë po ndodhte kur bëri fotografitë e mrekullueshme të të sapolindurve. Prindërit Morgan dhe Edwin Hernandez mirëpritën foshnjën e tyre, që e quajtën Romeo. Nga ana tjetër, Christiana dhe Allen Shifflett mirëpritën vajzën e tyre, Zhulieta, 18 orë më vonë.

Morgan Hernandez, nëna e Romeos, deklaroi se ata zgjodhën emrin e Romeos para se ta dinin se po prisnin fëmijë: “Burri im dhe unë e kemi dëgjuar për vite me radhë një artist të quajtur Romeo Santos. Ne pëlqejmë muzikën e tij dhe emri Romeo ishte emri i vetëm për të cilin ne të dy ramë dakord 100%”.

Me lejen e prindërve, Clayshulte ka publikuar fotot e Romeos dhe Zhulietës në faqen e saj në “Facebook”, gjë e cila e ka bërë profilin e saj mjaft aktiv, me një shpërthim komentesh pozitive dhe duke tërhequr vëmendjen e mediave.

Ditë më vonë, familjet u mblodhën në studion e saj për një intervistë, ku vendosën të sillnin fëmijët e tyre për një seri tjetër fotografish, por këtë herë me një veshje më të përshtatshme për shkrimtarin anglez. Morgan tha se tema e Shekspirit, me një kurorë për Romeon dhe një kurorë për Zhulietën, ishte ideja e Cassie.

Një gjë që tërhoqi vëmendjen e fotografes ishte lehtësia me të cilën u bënë fotografitë, pasi sipas saj ajo është një punë titanike për fëmijët që nuk kanë të njëjtin uterus: “Është shumë e vështirë për të bërë një punë të tillë me të porsalindurit që nuk janë binjakë, sepse binjakët kanë qenë afër njëri-tjetrit në barkun e nënës, kështu që kur ata nuk janë vëllezër, është më e vështirë për ta të jenë të qetë me njëri-tjetrin, por për Romeon dhe Zhulietën ishte sikur të kishin një lidhje, ata ishin të lumtur kur kapnin duart e njëri-tjetrit”.

Janë të shumtë ata që flasin për fëmijët, por romanca e vërtetë ka lindur midis prindërve të të vegjëlve, pasi, gjatë jehonës së medias në të cilën ata u përfshinë, të katër u bënë miq të mirë.

Sipas tyre, ata tashmë kanë disa plane për të ardhmen të shënuara në kalendarët e tyre: “Ne kemi folur për mundësinë e bashkimit të fëmijëve për foto në ditëlindjen e tyre të parë si dhe fotografitë e vitit të fundit të shkollës. Ne gjetëm një miqësi të pabesueshme në familjen e Zhuliet”.

Si përfundim, rastësi apo fat, imazhet e këtyre të vegjëlve do të zgjasin përgjithmonë falë kësaj fotografeje. Ne vetëm shpresojmë që, nëse një ditë do të përfundojnë duke u dashuruar, lutemi që kjo të mos përfundojë në tragjedi siç ndodhi me Capulets dhe Montagues. /Revista Psikologjia/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al