16 Qershor, 2018

“Prestige” fiton kampionatin e parë të minifutbollit amator, Hysenbelliu më i miri, me 22 gola


Skuadra e “Prestige MFC” shpallet kampione në minifutbollin amator, duke u renditur e para mes gjashtë skuadrave që luftuan për të fituar trofeun. Golashënuesi më i mirë i “Prestige” doli kapiteni Fatmir Hysenbelliu, me 22 gola të shënuar. Skuadra ku bëjnë pjesë edhe Eugen Shima, Eradi Mërtiri, Renato Antoni, Marsel Dobi, Olsi Klosi, Ilir Bregasi, Rei Xhaferi dhe Flori Xhani, arriti 9 fitore, 1 barazim dhe 0 humbje.

Lojtarët më të mirë të kampionatit të minifutbollit amator do të përfaqësojnë Shqipërinë në Europianin që do të zhvillohet më 12 gusht në Kiev të Ukrainës. Lojtarët e “Prestige”, duke u plotësuar edhe me skuadrat e tjera të vendeve dy dhe tre, do të grumbullohen për t’u paraqitur denjësisht në Europian. Ndërsa ekipi më i mirë merr pjesë në Slloveni në shtator në Ligën e Kampioneve për minifutbollin amator.

SHOQATA

Ervin Bytyçi, kryetari Shoqatës Shqiptare të Minifutbollit Amator, tregon detaje të krijimit të saj. “Arsyeja kryesore që ne u detyruam të krijonim një shoqatë të re ishte se FSHF nuk kishte të drejtë ta organizonte këtë kampionat, pasi Minifutbolli Amator, i ashtuquajtur “kalçeto” në gjuhën e përditshme, nuk njihet si sport nga UEFA dhe FIFA dhe rrjedhimisht nuk mbështetet.

Në dhjetor 2016 u informuam që në rang europian dhe botëror ekzistonte një federatë, e cila trajtonte Minifutbollin Amator. E themeluam shoqatën tonë në muajin shtator 2017. E prezantuam para Asamblesë së Përgjithshme të EMF, duke bërë aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim me anë të Shoqatës Shqiptare të Minifutbollit Amator.

Asambleja e Përgjithshme e EMF në unanimitet vendosi që Shqipëria të pranohej si vend partner dhe të marrë pjesë zyrtarisht në të gjithë aktivitet e organizuara nga EMF, deri në asamblenë e radhës ku do të votohet për pranimin e Shqipërisë. Do të marrim pjesë për herë të parë në Kampionatin Europian të Minifutbollit, Euro 2018, nga data 12 deri më 18 gusht në Kiev.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al