9 Mars, 2019

Pasi kërkoi 50 milionë dollarë dëmshpërblim nga ish-gruaja, dalin prova të reja në mbrojtje të Johnny Depp


Teksa aktori i “Hollywood”-it Johnny Depp po përpiqet që të pastrojë imazhin e tij nga akuzat e ish-bashkëshortes, aktores së famshme Amber Heard, duket se të tjera prova kanë dalë në dritë.

Depp akuzohet nga Heard se ai e ka dhunuar fizikisht. Por aktori ka paraqitur në gjykatë një dosje me fakte që vërtetojnë sipas tij se, ai nuk ka bërë asnjëherë një gjë të tillë.

Madje aktori së fundmi ngriti edhe një padi për shpifje ndaj ish-bashkëshortes së tij, pasi kjo e fundit e akuzoi për dhunë në familje. Ai kërkoi njëkohësisht dëmshpërblimin prej 50 milionë dollarësh kundër Amber.

55-vjeçari pretendon se aktorja po e tradhtonte me sipërmarrësin miliarder, Elon Musk, gjatë gjithë martesës së tyre.

Ndërkohë në dosjen e dërguar gjykatës, Depp e cilëson Amber si të pabesë dhe si personin e vetëm që shkatërroi martesën e tyre. “Daily Mail” shkruan se brenda 40 faqeve citohen dëshmi nga persona të ndryshëm që, tregojnë se historia është shpikur nga aktorja në mënyrë që të avanconte në karrierën dhe famën e saj.

Dëshmitarët kanë shtuar se kjo histori jo vetë që është shpikur, por ajo llogariti që sulmi të përkonte me publikimin e filmit që i dha Amber Heard-it rolin e saj të parë kryesor me një çmim shumë të lartë.

Ndërkohë kujtojmë se çifti u nda në vitin 2016, ndërsa gjyqet mes tyre vazhdojnë.

Panorama Plus

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al