21 Shkurt, 2022

Paralajmërimi/ Ushtarëve rusë iu ndalohet përdorimi i Tik-Tok-ut, ja cila është arsyeja


Shteti rus ka nisur një fushatë të re në përpjekje për të shmangur zbulimin e informacioneve ushtarake nëpërmjet rrjeteve sociale, kryesisht Tik-Tok.

Shefat e sigurisë në Rusi u kanë kërkuar ushtarëve që të largohen nga platformat e mediave sociale, duke përfshirë aplikacionin Tik-Tok, duke nisur kështu një fushatë reklamuese të bazuar në propagandën e vjetër sovjetike.

Kjo fushatë vjen pasi në rrjetin social Tik-Tok qarkulluan video ku dukeshin autokolonat me mjete luftarake ruse duke iu drejtuar kufirit me Ukrainën. Në shumicën e rasteve vetë ushtarët rusë kanë postuar video në platformë nëpërmjet llogarive të tyre.

Së fundmi është bërë virale videoja e një ushtari që dëgjohet të thotë “Nyet (Het)” (që do të thotë jo) ndërsa dorëzon një telefon me logon e TikTok në ekran. Videoja sjell një version të redaktuar të një fushate të famshme sovjetike të vitit 1954 kundër alkoolit.

Sipas Daily Star, fushata e ushtarit pasqyron posterat e mesazheve të kohës së luftës që thonin “muret kanë veshë” në mënyrë që të paralajmëronin britanikët për të shmangur bisedat e pakujdesshme që mund të sillnin pasoja kërcënuese për jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Raportohet ndër të tjera, nga Daily Mail, se po zhvillohet një projekt i financuar nga Britania e Madhe në Ukrainë në përpjekje për të trajtuar propagandën dhe dezinformimin rus. Fushata e quajtur “Filter” është lançuar vitin e kaluar, duke synuar të përhapë ndërgjegjësimin se si njerëzit marrin informacionin gjatë asaj që ata e quajnë “kohët e pasigurisë”.

“Një nga prioritetet është zhvillimi i edukimit mediatik për ta bërë shoqërinë ukrainase më elastike ndaj propagandës ruse.”, tha Valeria Kovtun, drejtuesja e këtij projekti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al