2 Shtator, 2021

“Nuk je vetëm”/ Gjesti i rrallë i dy berberëve shqiptarë emocionon 58-vjeçaren me kancer, qethin flokët në shenjë solidarizimi (Video)


Një gjest i rrallë i dy berberëve shqiptarë ka emocionuar një 58-vjeçare në Britani e cila vuante nga kanceri. Caroline Ross vendosi që të qethej pasi konstatoi se flokët e saj filluan të bien pas disa seancash kimioterapie.

Kur shkoi tek salloni i të rinjve, një prej shqiptarëve, Andi Bica vendosi të filmonte punën e tij. Nga video e publikuar nga Daily Mail, shihet se si dy kushërinjtë, Andi Bica dhe Klodian Peci filluan të qethnin flokët e tyre në shenjë solidarizimi me 58-vjeçaren e cila vijonte betejën me kancerin.

Berberi shqiptar shihet duke i prerë flokët gruas së sëmurë me gërshërë dhe më pas ndalon e i thotë se “nuk do e lënë vetëm”, prandaj ai dhe kushëriri i tij bëhen tullac për ta përkrahur. Në fund të videos shihet teksa Bica i jep një përqafim Caroline Ross dhe e puth në kokë duke i treguar se gjithçka do të shkojë mirë për të.

Sipas Daily Mail, Caroline Ross vuante nga kanceri i zorrëve dhe është kuruar për të dytën herë brenda 4 vitesh. Ajo e postoi videon emocionuese në Instagram dhe TikTok ku ka marrë më shumë se 500 mijë shikime.

58-vjecarja punonte si kuzhiniere madje ishte dhe pronare e një lokali. Ajo u shpreh për mediat se fillimisht kishte frikë të priste flokët, por gjesti i dy të rinjve shqiptarë i dha kurajon dhe besimin për të ecur përpara.

Andi Bica që është larguar nga Shqipëria 11 vite më parë, është shprehur: ‘Kur e dëgjova pse ajo do të priste flokët, mendova për këtë ide në moment. Nuk doja që ajo ta kuptonte, kështu që fola me kushëririn në gjuhën time dhe ai ishte shumë i lumtur, kështu që e vendosëm menjëherë. Ishte shumë bukur të shihnim se ajo u surprizua shumë’.

berberetshqiptare (1) berberetshqiptare (2) berberetshqiptare (3) berberetshqiptare (4) berberetshqiptare (5) berberetshqiptare (6)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al