2 Shtator, 2021

Nuk gjen qetësi as në SHBA, gruaja afgane merr telefonata kërcënuese nga talebanët pas evakuimit nga Kabuli


afganistan

Për disa qytetarë afganë, tmerri që kanë përjetuar në vendin e tyre i “përndjek” ende.

Horla, një grua afgane e cila u evakuua nga Kabuli ende nuk është e qetë pavarësisht se është strehuar në Ëashington.

Në një prononcim për BBC, ajo thotë se disa ditë pasi kishte mbërritur në SHBA, ajo ka marrë telefonata kërcënuese nga talebanët.

“Katër ditë më parë, në orën 4 të mëngjesit mora 3 telefonata nga talebanët të cilët më kërcënuan me jetë” – tha Horla.

Horla nuk është emri i vërtetë i gruas afgane. BBC ka ruajtur anonimatin e saj për çështje sigurie. Më pas, gruaja afgane ka rrëfyer udhëtimin e saj nga Kabuli për në SHBA.

“Ne qëndruam në Doha, Katar për 2-3 ditë në kushte të tmerrshme. Ishim rreth 2000-3000 persona që po qëndronim në dhoma shumë të vogla dhe pa kushte të mira. Ishte e tmerrshme, por ja dolëm” – thotë Horla.

Fokusi i gruas afgane tashmë është të ndihmojë miqtë dhe familjarët e saj të cilët kanë mbetur të bllokuar në Afganistan.

“Ne po mundohemi të gjejmë mënyra të tjera që familjarët e mi të largohen nga Afganistani. Duam të provojmë rrugë jozyrtare tokësore, por është shumë e rrezikshme pasi i gjithë territori monitorohet nga talebanët, gjithandej, çdo rrugë, çdo autostradë dhe çdo kufi” – thotë së fundmi Horla.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al