26 Qershor, 2019

Ngacmoi modelen në “Instagram”, futbollistin 25-vjeçar e përjashtojnë nga kombëtarja


Futbollisti i Egjiptit, Amr Varda është përjashtuar nga kombëtarja, për shkak se ngacmoi në rrjetet sociale modelen Merhan Keller.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Federata Egjiptiane e Futbollit, nëpërmjet një njoftimi zyrtar, teksa sqaron se mesfushori është përjashtuar për shkak të sjelljes së tij dhe akuzave për ngacmim seksual.

Mësohet se Varda i ka dërguar mesazhe të papërshtatshme dhe agresive modeles në “Instagram”, teksa ky vendim i ka kushtuar shtrenjtë futbollistit.

Keller më vonë publikoi edhe akuzat e disa femrave të tjera, që pretendojnë se kanë marrë mesazhe nga mesfushori egjiptian, i cili fillimisht kërkon të krijojë raporte romantike, por kur refuzohet bëhet agresiv dhe i dhunshëm

25-vjeçari është pjesë e PAOK-ut në kampionatin grek, teksa luajti si zëvendësues në sfidën hapëse të Kupës së Afrikës, ku Egjipti triumfoi me rezultatin 1-0 ndaj Zimbabves. Kujtojmë që egjiptianët do të luajnë sot ndeshjen e dytë në grupe, teksa do të kenë përballë Republikën Demokratike të Kongos.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al