13 Mars, 2022

Nga emigrant në kinematografinë kanadeze, aktori shqiptar: Ka artistë të mbivlerësuar


Aktori shqiptar Redi Zyka ka nisur prej disa vitesh një karrierë në Kanada, por kjo nuk e ka ndryshuar aspak atë.

Përkundrazi, që në nisje të kësaj interviste, ai shprehet se ëndrra e tij nisi si e çdo emigranti tjetër që bën punë të zakonshme.

redi zyka (3)

Teksa karriera e tij sot ngjitet, ai modestisht shprehet se nuk hyn tek njerëzit e famshëm, duke shpresuar që të shndërrohet në një ndër artistët që do të na bëjë krenarë në skenat ndërkombëtare.

Si një shqiptar i vërtet, ai zbulon se pas angazhimeve të shumta, jeton një jetë të thjeshtë, familjare, ku nuk i bën ‘bisht’ as angazhimeve të tij.

Një aktor shqiptar në Kanada, si ia arritët suksesit në një vend të largët?

Vetëm me ambicie dhe shumë durim. Natyrisht që kanë qenë ditë të vështira, ku duhet të duroje shumë dhe të punoje fort. Nuk ka qenë fat, por ka qenë një punë sistematike, natyrisht dhe me bashkëpunëtorët e duhur ka qenë edhe më organizuar si punë. Mendoj se suksesi në Kanada, një vend i madh është një mision i vështirë, por jo i pamundur. Ka ende shumë punë për të bërë, por jam i lumtur që jam në hapat e duhura.

redi zyka (1)

Si ishin sfidat e para të aktrimit për ju?

Sfida kryesore ka qenë marrja e rolit që unë dëshiroja duke qenë se isha në fillimet e mia. Në atë kohë më dukej shumë e vështirë ta ëndërroja dhe jo më ta merrja, natyrisht që ia dola. M’u desh shumë punë fillimisht, për të bindur skeptikët, por mora atë që doja dhe mund të them që roli më shërbeu për të më hapur porta të tjera në kinematografi.

Cila ka qenë jeta e mëparshme në kontinentin e largët, para se të bëheshit aktor?

Kam pasur një jetë të thjeshtë. Si çdo emigrant, m’u desh të bëja edhe më shumë se një punë, shpesh jo punë të thjeshta dhe jo vetëm një punë. Ngjason me historinë e një Hirusheje, ku nga punët e zakonshme ti ëndërron për të bërë atë që ke pasion, atë që dëshiron më shumë dhe me hapa të avasht nis edhe e realizon. Ishte një kapërcim i madh, nga një punëtor i thjesht, përpara kamerave, me skenar në dorë. Jam i lumtur që munda të prek ëndrrën time. Mendoj se edhe jeta si një emigrant i thjeshtë më ka shërbyer, ma ka bërë këtë rrugë edhe më të bukur.

redi zyka (5)

Mendoni se të bëhesh i suksesshëm në Shqipëri është më e lehtë?

Ne asnjë vend nuk është e lehtë të bëhesh i suksesshëm realisht. Ndoshta mund të duket sikur në Shqipëri është më e lehtë se është një vend i vogël, por këtu konkurrenca është e lartë, artistët janë shumë të talentuar, ndaj edhe suksesi nuk vjen aq lehtë sa duket. Ndërkohë në Kanada ka të tjera kritere dhe kini parasysh këtu se është një vend i madh dhe ka vështirësitë e veta të bëhesh një emër i njohur.

A e quan veten Redi një ndër shqiptarët që na çon lart emrin e Shqipërisë në arenat ndërkombëtare?

Këtë s’mund ta them unë, por shpresoj që po. Kemi shumë shqiptarë të famshëm që na kanë bërë krenarë, kemi dhe disa të tjerë të mbivlerësuar. Shpresoj shumë që të kem shërbyer për të bërë emrin e Shqipërisë të njohur edhe në cepin tjetër të botës. Personalisht kur më pyesin për vendin tim përpiqem t’i nxjerrë në pah vlerat dhe bukuritë që ka, duke i prezantuar një Shqipëri të re, të adhurueshme.

redi zyka (4)

Tashmë që jeni i famshëm edhe në vendin tonë, për karrierën në Kanada, a keni marrë ftesa nga producentët shqiptarë?

Deri tani jo, por mirëpres çdo ftesë. Në fakt, jam fokusuar tek tregu ndërkombëtar, me sytë nga Hollywood dhe nuk kam pasur as kohë fizike që të vijë në Shqipëri. Mendoj se tani që kam realizuar disa projekte dhe kam shtruar punët në Kanada, mundem të jem më prezent edhe në kinematografinë shqiptare.

Mendoni se nuk vlerësohen mjaftueshëm artistët në Shqipëri?

Mendoj se po. Ka shumë aktorë të talentuar që nuk marrin atë që meritojnë. Shpresoj shumë që meritokracia të funksionojë gjithmonë në vendin tonë dhe mbi të gjitha në artë.

Sa i njihni aktorët shqiptar? Kush është i preferuari juaj dhe më pak i preferuar?

Nuk i njoh shumë privatisht dhe s’mund të flasë për të preferuar dhe për jo të preferuar. Artistikisht kam parë që janë rritur dhe janë përmirësuar, do të doja t’i shihja edhe më shpesh në skena ndërkombëtare.

redi zyka (2)

A jeni pasuruar nga ky profesion?

Asnjëherë s’jam i kënaqur, sepse pres shumë e më shumë nga vetja. Për t’u përgjigjur pyetjes suaj, jo nuk jam i pasur, jam i lumtur.

Si janë raportet tuaja me famën? E quani veten të famshëm?

Nuk e di nëse quhem i famshëm, por unë di që ndjehem mirë me atë që kam bërë dhe me faktin se kam ndjekësit e mi që më vlerësojnë.

Shpesh aktorët kanë edhe një jetë private të trazuar, sa ka ndikuar në familjen tuaj profesioni?

S’ka ndikuar aspak. Kam një jetë të qetë familjare. Kur mbyll punët dhe angazhimet në punë, jam si çdo shqiptar tjetër, familjar dhe shumë i përkushtuar në shtëpi.

redi zyka (6)

A duhet një aktor të ketë në krah një partnere të famshme?

Jo nuk mendoj se është e rëndësishme kjo pjesë, vetëm të jetë lidhje shëndetshme.

E mendoni rikthimin në Shqipëri për të ndjekur rrugën e artit këtu?

Tani për tani jo, por më vonë nuk i dihet. Kam ende për të marrë nga Kanadaja, ashtu si kam edhe shumë për të dhënë. Më pas mendoj që do të jetë një moment i duhur për t’u rikthyer në bazë.

/Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al