20 Prill, 2022

Monika Lubonja zbulon pse nuk e ftoi Sabianin në ditëlindjen dhe flet për mungesën e Donald Veshajt


Disa ditë pasi festa e saj e ditëlindjes bëri xhiron e mediave sociale, Monika Lubonja ka folur për të gjitha detajet që u diskutuan.

Siç pamë në rrjetet sociale, dekori i festës përmbante një vaskë me banane dhe një kënd ku shkruhej “Bakllava dhe Kadaif”. Lidhur me këto, aktorja u shpreh se në çdo ditëlindje zgjedh detaje që kanë lënë gjurmë gjatë atij viti në jetën e saj.

“Ditëlindjet i ndaj me diçka që më ka shoqëruar gjatë vitit. Ky ka qenë një vit i suksesshëm me të mirat dhe të këqijat e tij. BBV ka lënë gjurmë te unë këtë vit dhe mendova të vendos gjërat kryesore që udhëhoqën rrugëtimin tim: bananet, vaska dhe bakllavaja me kadaifin.”– tregoi Monika e ftuar në “Wake Up” në Top Channel.

Siç ka treguar gjatë qëndrimit të saj në “Big Brother VIP”, Monika është pa komplekse dhe i pëlqejnë festat e ‘çmenduritë’. E tillë ishte edhe ditëlindja e saj por duket se nuk është pritur mirë nga shumë njerëz. Aktorja tha se ka marrë kritika për mënyrën se si ka festuar dhe se është paragjykuar shumë, sidomos nga gratë.

“Kur i pashë në rrjetet sociale ato që kishim bërë në festë mendova si nuk u thash të ftuarve mos të publikonin asgjë. Isha e fokusuar te ditëlindja e doja të krijoja një atmosferë të bukur dhe jo të ngurtë. Ajo që më vjen keq është se njerëzit nuk arrijnë të kuptojnë se kur je në një ditëlindje disa gjëra janë të llogaritura. Unë jam te festa ime me njerëzit e mi dhe nuk ka të drejtë asnjë të paragjykojë ose të diskutojë lirinë time ashtu si unë nuk diskutoj lirinë e tyre. Të vjen keq se kur ti kërkon të jetosh dalin paragjykime për formën si njeriu feston dhe gëzon. Njerëzit që kanë kritikuar më shumë kanë qenë gratë dhe nuk arrij dot ta besoj.“

Më tej gjatë bisedës Monika u ndal edhe tek ish-banorët që nuk kanë qenë të ftuar në ditëlindjen e saj dhe ata që nuk i ftoi. Pak ditë më parë Sabiani deklaroi se nuk ka marrë një ftesë për të qenë pjesë e festës së saj duke shtuar se nëse aktorja do e kishte ftuar nuk do e refuzonte.

Lidhur me këtë aktorja tregoi se nuk e ftoi sepse Sabiani ka qenë personi që e lëndoi më shumë në “Big Brother VIP” me deklaratën e tij dhe se nuk i ka dhënë asnjë sqarim. Ajo u shpreh se dhe takimi mes tyre në ditëlindjen e Big Mamës ka ndodhur për shkak të insistimit të Fifit.

Unë nuk kam patur ndonjë bisedë me Sabianin. U takuam te ditëlindja e Big Mamës. Ishte Fifi që këmbënguli që unë të takoja Sabianin. Njeriu që unë nuk e prisja të bënte diçka të tillë duke më quajtur ‘tradhtare’ ishte Sabiani. Është njeriu që nuk doja ta bëja pjesë të festës sepse fjala ‘tradhtare’ më ka lënduar më shumë se çdo gjë aty. Ne nuk kemi shkëmbyer biseda, nuk kemi pirë kafe e lashë me atë idenë dhe imazhin që krijoi për mua. Unë kam qenë afër me të dhe më konsideronte motër. Por nuk bëri kurrë asnjë sqarim as privat dhe as publikisht për deklaratën e tij. Unë fal shumë por kur dikush më cënon nuk toleroj dot.”- tregoi Monika.

Ndërkohë për mungesat e tjera shumë të diskutuara tha se: “Iliri ishte në Itali. Donaldin e ftova por ishte në koncert, bashkë me Fifin.  E dija se nuk do vinin dhe se kishin angazhime. Madje Fifi ka ardhur në orën 1 të natës në Tiranë por unë isha duke mbyllur ambientet dhe ne u ndamë.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al