30 Nëntor, 2022

Miqësia e dikurshme stimul mbi kohët moderne


Miqësia në ditët e sotme ka një dallim ekzistencial në krahasim me kohën ku vërtet kishte miqësi të sinqertë. Kjo miqësi bazohej mbi tërheqjen me shtysa të brendshme, për të pasur një shoqe apo një shok në aspekte fizike, intelektuale dhe pa interes, ku e gjitha ishte në kriterin që shoqërinë ta zgjidhje më të mirë se veten.

Miqësitë në vetë karakterin e tyre zhvillohen që në fëmijëri, me grupe shoqërore të caktuara, ku aty shënonte pikënisja e duhur në zhvillimin e personalitetit të gjithsecilit. Pra, ndodh fokusimi në detaje ku peshohen vlerat, zakonet, kohëzgjatja. Por sot në “kohët moderne” prioritet ka miqësia bazuar në interesin apo ortakërinë, pra kur tjetri është i dobishëm për njëfarë kohe. Këto miqësi cekëtinë, janë sipërfaqësore, si të thuash aksidentale. Në thelbin e saj miqësia bazohet në virtytet e një karakteri me dinjitet, ku gjithsecili të ndihet komod  dhe shoqëria të marrë trajta më afektive. Ka dhe miqësi “sfidë” kur kjo miqësi ndikohet nga kushte të caktuara, ku përcaktohet suksesi, sjellja, reagimet, rastësitë e momentit.

Kur lidhja sociale reciproke nuk shikohet nga një këndvështrim i përbashkët objektiv, miqësia prishet, sepse raporti i barabartë dhe vlerësimi me gatishmëri reciproke nuk funksionon.

Por duhet theksuar që ka dhe miqësi ndërmjet kulturave, shtresave të ndryshme sociale dhe intelektuale, ku çdo gur themeltar ndjesor bëhet investimi i duhur që kjo miqësi të ecë pa cenuar personalitetin e çdo individi.

Sot shikohen rëndomtë miqësitë që prishen sikur nuk kanë ekzistuar kurrë. E gjitha kjo krijon një diskomfort të madh emocional tek personi që lëndohet, duke krijuar dhe aksioma të dëmshme në rastet kur miqësia del nga vetja.

Sot më shumë se kurrë njerëzit janë bërë kaq të ftohtë me njëri-tjetrin dhe vlen të theksohet se është shumë e rëndësishme që shoqëria të ndërgjegjësohet të japë dhe të marrë lumturi. Sepse koha jonë e çmuar dhe me shumë vlerë duhet të jetë e gatshme, imune dhe intuitive për ta jetuar jetën më bukur drejt një tolerance  dhe raporti ët barabartë, ku motoja duhet të jetë: Çdo ditë një përqafim në rrugën e ndjesive jetësore.

Revista Psikologjia 

 

© Panoramaplus.al