23 Shkurt, 2018

Mesazhi i së bijës i preku zemrën, gazetari përlotet në emision


E kemi parë me qindra herë në studio të ndryshme televizive.

Herët në mëngjes apo natën vonë, por këtë herë në kohën e drekës, si të ftuar e pamë ndryshe. Jo thjesht sepse po gatuante në “Kush vjen për drekë”, por sepse u përlot live nga videomesazhi i së bijës.

Loris, vajza e Rezear Xhaxhiut kishte realizuar një videomesazh të gjatë nga Parisi ku studion e jeton prej pesë vitesh. Dhe gazetari nuk mund të mos emocionohej.

Shumë simpatike dhe e artikuluar, Loris, zbuloi që dreka, epiqendra e këtij programi, kishte një rëndësi të veçantë në marrëdhënien e tyre baba-bijë.
Ajo kujtoi që për vite me radhë, dreka ishte koha e tyre e shenjtë. Ndërkohë, na zbuloi edhe një sekret për Xhaxhiun që nuk na habiti. Drekat e tyre ishin të shoqëruara gjithmonë me lajme, që nisnin te TCH, siç tregoi më pas Xhaxhiu, vazhdonin te Klan e përfundonin te Vizion. E bija nuk e kuptonte maninë e të atit për të dëgjuar lajmet në tri televizione, kur ato ishin kudo njëlloj, por këto janë çështje profesionale që Xhaxhiu e gazetarët i njohin mirë. Megjithatë kishin dhe biseda personale drekat e tyre, që tani Lorisit i mungojnë shumë.

“Ndonjëherë e marr babin në telefon kur jam duke ngrënë drekë për të folur dhe ai më thotë: “Çfarë je duke bërë?”. Po ha drekë, i them unë. “Po mbylle telefonin, ha një herë”, më thotë babi. Po jo, i them, sepse unë dua të kujtoj kohët e vjetra, më duket si dikur kur flisnim ndërsa hanim”, ka treguar Loris…
Ky mesazh i sinqertë e ka emocionuar Xhaxhiun.

Ai pati edhe suportin e së ftuarës tjetër, këngëtares së njohur, Valbona Mema, në këto çaste.

“Çdo ditë në orën 2.30 uleshim të hanim drekë. E kishim orën tonë fikse dhe kur Lori vonohej 10 minuta si gjimnazistet, unë e ndieja shumë”, ka konfirmuar Xhaxhiu ritualin e drekës së tyre…
Sigurisht, pasi e mblodhi pak veten nga emocionet./Express/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al