20 Dhjetor, 2017

Luiz Ejlli: Isha i vogël kur preka skenën e “Eurosong”, emocion i paparë që do doja ta provoja përsëri!


Të gjithë ju që ndiheni vetëm e të pushtuar nga errësira, do të gjeni rrugën tuaj në vargjet e këngës “Ra një yll” që Luiz Ejlli e debuton në festivalin e RTSH-së, me shoqen e shkollës Rezarta Smajën. 11 vite pasi këndoi “Zjarr e ftohtë” në skenën e “Eurovizion”, Ejlli rrëfen për gazetën “Panorama” pse dëshiron të rikthehet sërish në atë skenë të lakmuar, konkurrencën e fortë me këngëtarët e tjerë, përjetimin si më i votuar në blogun e Eurovizion 2018, dhe rëndësisë që i jep krijimit të familjes një shpirt i vërtetë artisti si ai…

U fol se kishe hequr dorë nga muzika, por nuk vonoi dhe të shohim në këtë festival. Çfarë të bindi të rikthehesh?

S’e di ku është folur dhe se di kush e ka thënë, por gjithsesi unë s’kam hequr dorë kurrë e as kam ndërmend. Kënga është gjithçka për mua.

“Ra një yll” titullohet kënga me të cilën konkurron në Festivalin e 56-të të Këngës në RTSH. Si u bëtë bashkë me Rezarta Smajën, mendon se jeni një kombinim perfekt i zërave dhe prezencës?

Ka qenë një dëshirë e imja në fakt të bëja një këngë me Edmond Zhulalin, dhe pas natës finale të festivalit të kaluar, pra, para një viti, ia kam propozuar Zhulalit që do të doja të këndoja një këngë të tijën. Ai më tha “po” dhe më tha do e bëjmë duet. Po mendonim për vajzën dhe na shkoi ndërmend për Rezartën. Unë kam qenë katër vjet në klasë me Rezartën në gjimnaz në Shkodër, njihemi që fëmijë dhe, mendoj dhe besoj se do paraqitemi denjësisht në festival. Perfekt nuk është askush, gjithsesi.

Për këtë garë konkurron me këngën e krijuar nga Edmond Zhulali me vargje të Agim Doçit. Cila është fabula e “Ra një yll”, dhe sa njësh më këngën je bërë shpirtërisht?

Kjo është pyetje që i duhet bërë Doçit, por gjithsesi ai yll që bie plot dritë, bie tek unë që jam i vetëm i rrethuar nga errësira, dhe do më ndriçojë udhën, shpirtin dhe gjithçka…

Ish-bashkëpunëtorja jote në “Kënga Magjike” Juliana Pasha ka ndarë në Instagram këngën e Eugent Bushpepës si të preferuar duke e cilësuar zërin më të mirë mashkullor, të cilin do që ta shohë në Eurovizion. Çfarë mund të thuash për këtë?

Secili ka të preferuarin e vet, por zëri më i bukur mashkullor është një titull që s’e besoj se i takon atij, as mua, se dhe tek “Kënga magjike” çuditërisht Anxhela & Elhaida në konkurrim për “Best female vocal” e fiton Anxhela, në një kohë që Elhaidën e vlerësoi Cocciante & Company si një super vokal. Gjithsesi, po thosha që preferencat personale të secilit i respektoj 100%, po ashtu dhe të asaj në këtë rast.

Sa e fortë të duket kjo garë?

Konkurrenca është e fortë dhe kjo është gjë e mirë, sepse na bën të impenjohemi më shumë.

Tek Blogu i Eurosong kënga juaj është votuar si më e preferuara deri tani, pra kryeson e para. Si je ndjerë?

Është normale që është kënaqësi ta shikosh veten në vend të parë, por a do të jetë vallë vërtet kështu më datë 23 dhjetor?

Meqenëse këngët për herë të parë janë publikuar në youtube, i ke dëgjuar të gjitha, dhe cilët do të veçoje si më të preferuarat?

Ne jemi në konkurrim me njëri-tjetrin, dhe është normale që unë kam të preferuarat e mia, por meqenëse nuk kam arritur akoma në nivelin e një anëtari jurie, nuk veçoj dot se cila është apo kush ka zërin më të bukur.

Kujtojmë që t’i ke përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion në vitin 2006 me këngën “Zjarr e ftohtë”. Është ngjitja në atë skenë për herë të dytë një ambicie e jotja?

Kam qenë 19 vjeç kur isha herën e parë, isha shumë i vogël dhe pa eksperiencë. Është një emocion i jashtëzakonshëm të jesh aty, veç ai që e provon e di. Do të doja shumë ta provoja prapë.

Muzikën e konsideron punë apo pasion, ka pasur raste që ke fituar shumë para si këngëtar?

Të dyja bashkë, është normale që puna më jep për të ngrënë, por kënga më kënaq shpirtin.

Po angazhimi yt kryesor cili është në jetë, pra, jeta apo karriera profesionale?

Se kujt i intereson kjo pjesë s’e di, por gjithsesi ti ke të drejtë të bësh pyetje dhe unë të mos përgjigjem.

Kënga më e bukur e dashurisë që e dëgjon sa herë je vetëm?

“Non dirgli mai” (Gigi D’alessio)

Je tipi që të pëlqen martesa dhe familja, apo je artisti me shpirt të lirë për të cilin liria vlen më shumë se gjithçka?

Familja mbi gjithçka!

 

Klotilda Harka /Panorama Plus

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al