30 Qershor, 2018

Kledi Kadiu, dasmë private me partneren 18 vite më të re


Balerini i njohur shqiptar Kledi Kadiu, mbrëmjen e së enjtes kurorëzoi dashurinë e tij disavjeçare me martesë. 44-vjeçari prej kohësh është në një marrëdhënie me Charlotte Lazzari, balerinën franceze 18 vite më të re, me të cilën ka dhe një vajzë, Lean. Vetë Kledi nuk bëri asnjë postim nga ceremonia VIP e dasmës private, që u zhvillua buzë liqenit të Braçianos në Itali.

Disa foto i postoi në “Instagram” miku i tij i ngushtë, balerini me famë në Itali, Ilir Shaqiri. Anbeta Toromani, Dorian Grori, balerina italiane Rosella Brescia, e shumë të tjerë ishin pjesë e dasmës së mikut të tyre, një ceremoni plot finesë dhe elegancë, siç i ka hije një personazhi të famshëm të televizionit italian. Tashmë, si prindër të një vajze, profesori i “Amici-t” dhe e dashura 18 vite më e re, Charlotte, u ngjitën në altar për të celebruar dashurinë që u bekua me fëmijë vetëm pas 14 muajsh lidhje.

KUSH ËSHTË CHARLOTE, VAJZA QË BINDI KLEDIN TË MARTOHET

Sa më shumë kalojnë vitet aq më e vështirë është për djemtë të vendosin për fatin e tyre, për më tepër për një artist të lakmuar si Kledi Kadiu. I konsideruar si profesori i preferuar i “Amici”-t, Kledi iu dorëzua vajzës me tiparet e biondes, 18 vite më e re se ai, balerinë e njohur, me origjinë franceze. Rrëfimin e parë për Charlotte, balerini e dha për revistën “Settimanale Nuovo” ku u shpreh: “E ndiej që është histori e rëndësishme për mua dhe po kuptoj se jeta në çift më pëlqen”.

Sa i takon mënyrës së njohjes, Kledi tha: “Ndodhi gjithçka shumë shpejt. Unë me Charlotte kishim vetëm 1 vit e 2 muaj bashkë, por gjërat ndodhin kur i ndjen”. Ai tha gjithashtu se gjendja e mirë shpirtërore që ata si çift kishin, bëri që gjërat të ndodhnin në këtë mënyrë.

Po kush është Charlotte, vajza që i mbushi mendjen Kledit të martohet dhe që ai e zgjodhi për nënën e fëmijës së tij? Ajo është balerinë profesioniste me nënë franceze dhe baba roman. Është vetëm 26 vjeçe dhe u njoh me Kledin në një takim të rastësishëm me miqtë e tyre të përbashkët. Më vonë, në një intervistë për “Wake up” në “Top Channel”, duke folur për ndjesinë e babait, Kledi deklaroi se edhe pse janë një çift balerinësh, s’do t’i pëlqente që në një të ardhme e bija të bëhej balerinë, edhe pse me shaka tha se e sapolindura më shumë i ngjan atij sesa nënës. “Nuk dua të bëhet balerinë, por nuk kam dot një përgjigje se çfarë do të bëhet kur të rritet”.

PASURIA PREJ MILIONERI E KLEDI KADIUT, JETA NË ZONËN E SHTRENJTË TË ROMËS

Për balerinin me famë në Itali, Kledi Kadiu, viti i ri 2016 erdhi me këmbë të mbarë, pasi u bë për herë të parë baba i vajzës Lea vetëm 14 muaj nga njohja me të dashurën, Charlotte Lazzari. “Mbarova detyrat e mia dhe tani mund t’i dedikohem me mish e me shpirt punës më të bukur, asaj të të qenit baba. Tani dua të shijoj këtë lumturi, që është më e madhja, që mund të provojë njeriu”, deklaroi në atë kohë Kledi për fansat e tij pak orë pasi erdhi në jetë Lea. Po cila është jeta e balerinit në Itali, ndërsa cilësohet si profesori i rreptë i “Amici”-t.

Përveç famës së madhe që ka arritur atje, Kledi jeton në Romë në zonën më të shtrenjtë (Trastevere), ku ka blerë shtëpinë e tij të madhe, të cilën flitet se e ka blerë në vlerën 1.200.000 (një milionë e dyqind mijë euro). Në hyrje të banesës ka një holl të madh, nga i cili ngjitesh me shkallë në shumë ambiente të veçuara. Më parë në këtë shtëpi të veçantë ai jetonte vetëm si djalë beqar që ishte, por shumë shpejt nisi bashkëjetesën me Charlotte Lazzari, me të cilën filluan një histori të bukur dashurie.Balerini 44-vjeçar dhe Charlotte 26 vjeçare u bënë prindër pas një viti, që ata përjetuan dashuri me shikim të parë.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al