29 Nëntor, 2017

“Këtë vit synojmë Eurovizionin, është e vetmja mundësi për të depërtuar në zemrat e europianëve”


KLOTILDA HARKA

Ky është viti i vëllezërve të njohur të muzikës, Endri dhe Stefi Priftit. Pasi do të konkurrojnë në “Këngën Magjike” dhe Festivalin e RTSH-së, do të nisin një tur në gjashtë shtete të Amerikës, për ta mbyllur me pushimet dimërore në Kaliforni e Majami.

Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, Endri flet për këngën e fortë që ka shkruar vetë me ambicien për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion. Kantautori që sapo ka festuar ditëlindjen, flet për marrëdhënien me vitet që kalojnë, beqarinë, qejfin që blihet me para dhe femrat:

Në datën 21 nëntor kishe ditëlindjen, sa vjeç bëre dhe me kë e festove në mënyrë të veçantë?

Faleminderit që pyesni kaq thellë për mua, duket që më doni shumë. Mund të jetë nga rastet e rralla që nuk festova ditëlindjen këtë vit, pasi kemi aq shumë obligime në këtë periudhë, sa nuk kisha vërtet kohë për të festuar. Çdo minutë dhe çdo orë është shumë e vlefshme për ne me gjithë këto këngë dhe projekte të reja që kemi nëpër duar. Se harrova, unë në çdo ditëlindje do të mbetem 39 vjeç.

Dihet që fundviti është periudha e festivaleve të muzikës. Me çfarë këngësh konkurroni në “Këngën Magjike” dhe në Festivalin e RTSH-së?

Këtë herë do të marrim pjesë te të dy festivalet. Te “Kënga Magjike” kemi një material shumë të bukur nga kompozitori Endrit Shani me tekstin e Pandi Laços. Është një baladë shumë e bukur duke u rritur nga sekonda ne sekondë. Një produksion super i bukur. Ndërsa në Festivalin kombëtar kam shkruar vetë një kryevepër me muzikën dhe tekstin e shkruar nga unë. Është një mesazh që dua të përcjell te të gjithë njerëzit, si të mëdhenj, ashtu edhe fëmijëve, adoleshentëve dhe gjithë njerëzimit. Kënga flet për realitetin e jetës në ditët e sotme. Do ta dëgjoni.

Skena e Eurovizionit është ëndrra juaj. Pra kjo është arsyeja pse konkurroni në festivalin e RTSH-së?

Patjetër që për atë ëndërr kam hyrë te ky festival. E kam ruajtur që vjet këtë këngë, për këtë arsye. Dua të përcjell këtë mesazh, jo vetëm te vendi ynë, por dua ta dëgjojë gjithë Europa, edhe bota. Është e vetmja mundësi për të kapërcyer edhe kufijtë, për të depërtuar në zemrat e europianëve. Dua që karriera jonë të zgjerohet edhe në Europë, jo për shqiptarët që jetojnë nëpër Europë, por për vetë europianët nga të gjitha shtetet. Asgjë nuk është e pamundur për mua.

Para se t’ju shohim në atë garë ku ju voton juria, do t’ju shohim në skenën e “Këngës Magjike”. Duke u nisur nga një konflikt i vitit të kaluar, sa gjasa ka të përsëritet historia?

Ne nuk kemi asnjëherë asnjë dëshirë për të krijuar konflikte, përkundrazi ne i duam të gjithë dhe i shohim shumë pozitivisht në gjithç- ka. Edhe konflikti vitin e kaluar thjesht u avancua për reklamë të disa picirukëve. Nuk kam asgjë as me Florin, as me Artiolën, përkundrazi i vlerësoj shumë, por unë nuk mund të rri pa folur për vendin dhe kuvendin. Një këngë popullore nuk mund ta drejtosh drejt rrugës së një festivali, pra nuk ka lidhje ajo muzikë. Ishte e disata herë që në festivale si “Kënga Magjike”, ashtu edhe “Top Fest”, kishin futur rryma të tilla. Epo dikush duhet të flasë dhe ata ishim ne. Edhe një herë, kënga e vjetshme ishte shumë e bukur, por nuk ishte për festival. Duhet ta kuptojë edhe vetë populli diçka të tillë.

Ndërkaq, për festa do të udhëtoni drejt SHBA-ve. Si mund ta përshkruani turin e SHBA-ve, domethënë ku mbaron puna dhe ku fillon qejfi për ju atje?

USA është edhe lodhja tjetër që vijon, por është edhe vendi i çlodhjes dhe pushimeve tona dimërore. Në çdo vit, kemi rreth 7 vjet a më shumë që shkojmë e bëjmë për Vit të Ri një tur në shumë shtete të Amerikës. Këtë vit deri tani kemi 6 koncerte në 6 shtete të mëdha të Amerikës. Më pas vazhdojnë pesë ditë që falë miqve tanë që na duan kaq shumë dhe na respektojnë kaq shumë sa s’kam fjale të them, se me çfarë dashurie dhe respekti na presin. Këtë herë na kanë rezervuar në Kaliforni dhe Majami pushimet tona.

I jeni kthyer edhe jetës së natës me koncertet live. Si korçarë që jeni, nisur nga një këngë e vjetër korçare “qejfi është i ëmbël dhe nuk blihet më para”, për ty çfarë vlere ka qejfi?

Kjo pyetje qenka e rrezikshme, me shumë dredhi (qesh). Një këngë e vjetër korçare thotë se qejfi nuk blihet me para. Po siç kanë ardhur këto kohët e sotme, sot blihet gjithçka me para.

Duke qëndruar te serenatat, kur vajzat bëhen plaka ti vazhdon i do, apo edhe pse vitet kalojnë dhe për ty, ti pëlqen vajzat e reja?

Për mua vitet nuk kalojnë fare, me duket vetja gjithmonë njëlloj. Faleminderit Zot duhet të them! Ai është që më drejton në jetën time dhe më udhëzon. Te femrat për mua s’ka rëndësi mosha, rëndësi ka sinqeriteti dhe dashuria.

Ende në rrjetet sociale ke statusin “i divorcuar”. Cilat janë të mirat dhe të këqijat e këtij statusi?

S’ka as të mira, as të këqija ky status që shkruhet aty. Është thjesht realiteti, e duhet t’u përmbahemi rregullave të Facebook.

Sa të ka ndihmuar për karrierën si artist e këngëtar statusi i beqarit?

Të më ndihmojë për karrierën? Më duket shume absurde të mendoj që ky status që jam beqar të më ndihmojë. Unë e kam thënë shpeshherë, asgjë nuk bëj për t’u hedhur hi në sy, apo të mbuloj falsitetet, apo të jem intrigant e mashtrues, të servilosem, apo ku e ku ta di unë se çfarë të tjerash duhet të them.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al