1 Nëntor, 2017

Jeta përtej politikës e Blerina Gjylametit, raporti me të birin,ja pse ai donte të bëhej ministër


Që prej vitit 2013-të Blerina Gjylameti është deputete në Kuvendin e Shqipërisë. E rikonfirmuar edhe në këtë legjislaturë Gjylameti ka një karrierë të pasur me përfshirje dhe angazhime politike sidomos në dobi të të drejtave të grave dhe barazisë gjinore.

Sfidat dhe sakrificat në politikë nuk kanë qenë të pakta, por ndoshta më e madhja ndër to ka qenë menaxhimi i kohës për të mos munguar edhe në familje. Ajo është nënë e Joelit 9-vjeçar, i cili kishte vetëm dhjetë ditë që kishte ardhur në jetë kur deputetja nisi angazhimin e saj publik në politikë.

 

Sot, e ftuar në “Rudina”, deputetja Gjylameti rrëfeu më shumë edhe për jetën private dhe për raportin e fortë që ka me Joelin – djalin e saj të vetëm, i cili ka filluar edhe të kuptojë se, nëse prindërit janë politikanë, ata edhe mund të sulmohen, shpeshherë edhe kur nuk e meritojnë.

Megjithatë, ai është i rritur, akoma i ndjeshëm, por kjo është ndoshta kosto që duhet të paguajnë politikanët që, në fund të fundit, kanë zgjedhur këtë rrugë edhe për të ndryshuar e për ta bërë më të mirë të ardhmen e fëmijëve të tyre.

 

Meqë është kështu, edhe Joeli mendon se për të ardhmen do të bëjë të njëjtën zgjedhje. Ose ndoshta nuk zgjedh ta bëjë, por për momentin kështu e shikon ai mamin e tij dhe deputetët e tjerë, madje edhe ministrat: “Kur e kam pyetur Jolein ‘çfarë do të bëhesh kur të rritesh, më ka thënë deputet. Pasi e pyetja përse, më tha: Sepse ju mund të luani gjatë gjithë kohës në iPad derisa t’ju vijë radha për të folur”, – tregon Blerina me të qeshur. Këtë, i biri e kishte vënë re sa herë që gjyshërit e tij ndiqnin seancat plenare. Por më vonë hoqi dorë nga “profesioni” i deputetit, sepse pa që, nëse do të ishte ministër, jo vetëm që mund të luajë në iPad, por edhe nuk e kapin kamerat që po e bën këtë.

Por hoqi dorë edhe nga kjo detyrë. Joeli ka vendosur që më mirë të bëhet drejtor si babi, meqë ata kanë punë më “të lehtë” – mund t’i kontrollojnë edhe nga terreni punët dhe vartësit e tyre.

Jo keq si fillim. Djali i një politikaneje i jep mësimin më të mirë politikës sonë, për momentin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al