11 Korrik, 2022

“I vunë hekurat dëshmitarit se ishte shqiptar! Kam screenshot mesazhin e…”- Reperi shqiptar zbulon detajet e aksidentit në Londër: Jam verior, dua të vetëgjyqësoj!


Reperi Arban Perlala i cili njihet nga të gjithë me emrin G-Bani ka zbuluar detaje nga aksidenti që ka pësuar në Britaninë e Madhe.

Në një video me ndjekësit e tij në rrjetin social në “TikTok”, ai foli rreth gjendjes së tij duke treguar se i është dashur që të operojë këmbën dy herë si pasojë e lëndimeve të marra nga aksidenti. Madje ai shtoi se shoferi i ndodhur në makinën tjetër e ka përplasur me dashje.

Ditën e sotme G-Bani ka treguar detaje të reja nga aksidenti, duke zbuluar dinamikën e ngjarjes dhe situatat e tjera që e pasuan.

“Ishte radha ime, por shoferi te makina tjetër ishte i padurueshëm. Ky shoferi nuk më dha hapësirë të kaloja. U mendova të kaloja shumë avash dhe i gërvishta makinën. Që në fillim donte sherr, konflikt. Për momentin thashë nuk do konfliktohem, do kaloj dhe do thërras policinë. Kam pasur një moment tjetër të keq, ku bëra sherr. U largova disa rrugica tutje dhe ai më kishte ndjekur. E pashë dhe i thashë që të ndalte. Ja bëj me shenjë që mbaje, merremi vesh si të duash. Nuk guxoi që të ndalonte, por mori dhe më përplasi”, tha ai gjatë një interviste për “Shqipëria Live.”

Më tej reperi shton se ka pësuar dy fraktura, dy thyerje te këmba e majtë, njërën te gjuri që u bë operacioni dhe një tjetër te kyçi.

“Kam dhe krahun. Bëra operacion të dyfishtë. Mjekët ishin shumë të mirë dhe profesionalë”, tha G-Bani.

Pasi shprehu se aksidenti ka qenë i qëllimshëm, reperi shtoi se arysje pse autori nuk është arrestuar është sepse ai është shqiptar.

“Ka qenë një eksperiencë që më ka bërë shumë përshtypje, mesjetare. U gjenda në tokë, pa mundur që të lëvizja. Dola nga rruga që të mos bënte hatanë. Kur dola nga rruga, më kanë thënë se ai e kishte ndaluar makinën pasi dikush në mjet kishte pësuar shok. Komshinjtë aty kanë thirrur ambulancën, unë doja edhe policinë.

E mora policinë dhe ju them dikush më ka përplasur me qëllim dhe ndihem në rrezik. E dërguan patrullën, një femër dhe një burrë. Nuk ma morën denoncimin se isha në gjendje shoku, por unë isha në gjendje të komunikoja. Për fatin tim të mirë kishte shqiptar aty, pak më i madh se unë, më tha ‘patriot mos u mërzit, do bëhesh mirë’.

Ky e kishte parë gjithë ngjarjen. Më thotë çfarë kam parë, do e them. Ai u tha policëve ngjarjen. Pasi dal nga spitali, më vjen hetuesja që kishte marrë përsipër ngjarjen për të marrë një deklaratë nga unë. Më thotë se nuk kemi dëshmitarë, e kjo vetëm se ishte shqiptar. Kam screenshot mesazhin e dëshmitarit. Shqiptari u ka thënë si e lini të lirë personin që e ka përplasur, se ai lëvizte aty. I vunë hekurat vetëm se ishin bërë dhe disa shqiptarë të tjerë. Hetuesja më tha që mos ta shqetësosh dëshmitarin.

Kur kontaktova shqiptarin me të më tha: ‘Më kanë pyetur, kam bërë një deklaratë. Më akuzojnë mua se po gënjej se jam shok me ty. Unë ju thashë se nuk e njoh, dhe është rastësi që flasim të njejtën gjuhë”, tha G-Bani.

I pyetur se çfarë ka ndodhur me shoferin tjetër, ai tha se “është  për qejf, i lirë”. Reperi i njohur shtoi se po merret familja për pjesën e dëmshpërblimit, por nuk e di se sa i takon. Më pas shtoi se si verior që është, do shumë që të vetëgjyqsoj, por ka vendosur që t’ia lërë shtetit.

“Jam verior, dua shumë të vetëgjyqësoj. Por duhet t’ja lë shtetit”- tha ai.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al