20 Mars, 2018

Humbje të mëdha pas skandalit me të dhënat personale, “Facebook” në krizë


Skandali i të dhënave po i kushton shtrenjtë “Facebook”-ut. Gjiganti i rrjeteve sociale, i themeluar nga Mark Zuckerberg, ka pësuar humbje të mëdha në bursë me një rënie prej gati 7%, që fshiu miliarda dollarë nga vlera e kompanisë dhe problemi nuk mbetet këtu: “Facebook”-u sipas CNN, po përballet sot me një krizë ekzistenciale.

Do të duhen përpjekje herkuliane që pas aferës së Cambridge Analytica-s, kompania e Silicon Valley-t, të arrijë të rikthejë të plotë besimin publik lidhur me privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave.

Zuckerbergu vazhdon të heshtë përballë situatës dramatike, thirrjeve për hetim dhe fushatës që po zhvillohet me hashtagun: “#deletefacebook”, (fshijeni facebookun).

Vetë bashkëthemeluesi i Cambridge Analytica, i kthyer në informator, Christopher Wylie është bllokuar përkohësisht nga “Facebook”-u, “Instagram” dhe “WhatsApp” pas pohimeve të bëra mbi firmën e analizimit të të dhënave, që akuzohet se ka mbledhur informacione personale të miliona përdoruesve të gjigantit të platformave sociale dhe se nisi një të ashtuquajtura luftë kulturash gjatë presidencialeve amerikane të 2016-tës.

I pyetur nga NBC nëse me aktivitetin e saj, kompania ka ndihmuar në zgjedhjen e Donald Trump, Wylie përgjigjet se qëllimi ishte të shfrytëzohej gjithë çfarë dihej mbi përdoruesit e “Facebook” dhe të shënjestroheshin ato që ai i quan “demonët e tyre të brendshëm”.

Cambridge Analytica punon për krijimin e një web-i desinformimi online në mënyrë që njerëzit të bien në kurth e të klikojnë në blogje, website, etj të cilat u bëjnë të mendojnë se disa gjëra po ndodhin, por ato mund të mos jenë ashtu siç duken.

“Të dhënat, thekson Wylie, janë keqpërdorur nga kompania dhe besoj se për këtë, ajo duhet hetuar”.

Me qëllimin të qetësoje stuhinë, “Facebook” ka pajtuar një firme auditimi, e cila do të verifikojë nëse të dhënat e përftuara nga Cambridge Analytica janë shkatërruar apo ekzistojnë akoma. Duke u hequr si biznesmen nga Sri Lanka, një reporter i televizionit Channel 4 News e regjistroi kreun e Cambridge Analytica, Alexander Nix duke dhënë shembuj të mënyrave sesi firma e tij mund të diskretitonte rivalët politikë përmes fushatave dëmtuese, përfshirë kurthet apo sajimin e situatave të xhiruara të mitmarrjes, por vete Nix i hodhi poshtë me forcë të tilla pretendime me argumentin se natyra e bisedës i është keqprezantuar publikut. /tch/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al