15 Shkurt, 2021

Hermes Nikaj pozon si model në “Arrest shtëpie”: Personazhet publikë, me të cilët shkëmbejmë video hot


Tani që është në masën “Arrest shtëpie”, Hermes Nikaj gjen mundësinë të shijojë pasionin e tij, fotografinë artistike. Hermes Nikaj, gazetari dhe reporteri 26-vjeçar i “Vox pop”-eve për disa emisione të rëndësishme televizive, prej muajsh ndodhet i izoluar brenda katër mureve, me shpresën e mbylljes së çështjes pas arrestimit në flagrancë, me akuzën për shfrytëzim prostitucioni.

Bashkë me këtë set fotosh ekskluzive për “Panorama Plus”, Hermes, që ndalua në një dhomë hoteli me mikun e tij, rrëfen gjithçka po i ndodh pas privimit të lirisë; nga mesazhet e videot hot që shkëmben me personazhe të njohur, te dashuria e munguar për “Shën Valentin”, e deri te vizitat e miqve në shtëpi…

Ishe mësuar që e festoje Shën Valentinin duke udhëtuar drejt një destinacioni të caktuar. Si ndihesh që këtë vit të gjeti në “Arrest shtëpie”?

Hermes Nikaj: Përveç “arrestit në shtëpi”, më ngushëllon fakti që këtë vit askush nuk mundet të udhëtojë, kështu që nuk jam i vetmi. Ata që vërtet më duan, e gjejnë mundësinë dhe vijnë më takojnë e tregojnë dashurinë në shtëpi.

Ndërkohë, ke realizuar një set fotosh artistike ku i gëzohesh jetës me pijen tënde të preferuar. Çfarë mesazhi dëshiron t’i japësh botës dhe njerëzve në liri me ato foto artistike?

Hermes Nikaj: Fotografia është pasioni im i hershëm dhe kanë mesazhe të ndryshme, që nga fakti se fillimet e mia kam qenë si model dhe imazh i preferuar për aparatin, e deri te fakti që njeriu duhet të ndihet i lirë për të bërë çfarë dëshiron, ashtu siç bëj unë.

Për ty dashuria mund të blihet me para, meqë jemi në atmosferë “Shën Valentini”?

Hermes Nikaj: Dashuria është ndjenjë dhe nuk duhet të përzihet me paratë. Por për një dashuri jetëgjatë e vitale duhet të kesh një ekonomi të mirë për të përballuar kënaqësitë e argëtimet. Ndaj duhet paraja, për të përmbushur gjërat fizike dhe materiale, pasi ndjenja duhet të konsolidohet.

Po seksi a ia vlen të ofrohet falas meqë jemi në kapitalizëm?

Hermes Nikaj: Seksi, kur është i lidhur me dashurinë, është falas, pa diskutim. Por kur asetet e tua i kthen në mënyrë për të fituar paratë, pa përfshirë ndjenjat, atëherë seksi shitet. Unë jam kundër prostitucionit, por pro lirisë së tjetrit. Është jeta dhe trupi i tij/saj, të bëjë ç’të dojë.

Cilat janë fantazitë e tua më të bukura erotike në këto muaj që rri mbyllur dhe a i ndan me dikë? Pra, shkëmben mesazhe apo foto me dikë?

Hermes Nikaj: Fantazitë e mia erotike bëhen reale falë imazhit tim. Unë jam një djalë i kuruar, ndaj çdokush më dëshiron. Mesazhet dhe fotot nuk më kanë munguar asnjëherë, por unë i shuaj dëshirat e mia fizikisht. Sigurisht që shumë miq vijnë dhe më vizitojnë në shtëpi. Nuk them se jam në një marrëdhënie dashurie, ama kam edhe unë “friends with benefits”!

I ke dërguar dikujt ndonjë video hot dhe të ka dërguar ty ndonjë person i njohur?

Hermes Nikaj: Do isha gënjeshtar të thosha JO! Pastaj dihet që e gjithë shoqëria ime përbëhet nga personazhe publikë, edhe marrëdhëniet e mia të mëparshme kanë qenë me personazhe të njohur, me të cilët i ruaj relatat dhe “PO” ndajmë shpesh video dhe foto.

Ke mbajtur ditar gjatë kësaj periudhe në arrest, dhe çfarë do kujtosh me dhimbje apo nostalgji nga kjo periudhë e jetës?

Hermes Nikaj: Ditar nuk kam mbajtur, se nuk na lë telefoni. Ama, kam një memorie të fortë dhe mbaj mend gjithçka. Ajo çfarë unë kujtoj me keqardhje, është përlyerja e imazhit tim në situata të pa vërteta. Më vjen keq për trillimin e bërë për të shkatërruar imazhin e karrierën time.

Do t’i dërgoje ndonjë shoku në burg dhurata për t’u shprehur mirënjohjen, si paketë, çokollata ose lule, duke qenë se ti je gjithsesi jashtë hekurave ndryshe nga ata?

Hermes Nikaj: Unë nuk e harroj kurrë trajtimin e mirë që më kanë bërë atje, kurajën e dhënë dhe të gjithë mbështetjen. Po të mundja, jo vetëm këto që përmendët ju, por do t’u dhuroja lirinë të gjithëve. Janë njerëz shumë të mirë, i gjykojmë pa të drejtë. Po të dëgjojmë historitë e tyre, kanë të gjithë argumente bindëse se përse kanë arritur deri në atë pikë.

Thonë që burgu është për burrat, po tani nga eksperienca personale ndihesh më shumë i tillë?

Hermes Nikaj: Burgu nuk është për askënd, aq më pak për të pafajshmit. Nga eksperienca ime them se sa e shtrenjtë dhe e shenjtë është jeta dhe liria. Ama, duhet të bëhemi një shoqëri e ndërgjegjshme dhe po të përdorim logjikën përpara impulsivitetit, jam i bindur që burgjet nuk do të ekzistonin. Fundja vetëpërmbajtja na dallon nga kafshët.

Mund të ndash me ne disa mesazhe private? Komplimentin më të bukur që të kanë bërë për pamjen, mesazhin me pasionant që ke marrë, dhe premtimin më të madh në dashuri?

Hermes Nikaj: Meqë jemi në atmosferë “Shën Valentini” vendos t’jua jap këto përgjigje: Komplimenti më i bukur është: Je imazh për Play Boy “Zogu”, mashkull sex-simbol.

Mesazhi më pasionant më ka ardhur kur kam qenë larg ish-njeriut të zemrës dhe ishte: Nëse do të ishe këtu, do të mbysja me puthje dhe do të bënim dashuri për 24 orë, më mungon, hajde shpejt! Ndërsa premtimi më i madh i dashurisë ka qenë: Do të dua për të gjithë jetën time, edhe nëse nuk jemi bashkë!

/Panoramaplus.al/Nga Klotilda Harka

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al