17 Tetor, 2018

Hekuran Krasniqi i hit-it “Mandarina” me Bleona Qeretin: Po ndërtoj televizionin më të ri në Kosovë


Mund të quhet këngëtari i bashkëpunimeve nga hit-i “Mandarina” me Bleona Qeretin, deri te këngët e bukura me grupin “Fisnikët”.

Hekuran Krasniqi nuk është vetëm një këngëtar e kompozitor i njohur, por edhe pedagog në Shkencat e Komunikimit e Gazetari në një nga Universitetet e Prishtinës.

Por ndërkohë po flitet se ai është në proces të krijimit të një televizioni të ri në Kosovë, që do e ngrejë artistin në nivelin e sipërmarrësit. Pyetjes, nëse do të jetë një risi në tregun audiovizual në Kosovë kjo sipërmarrje e re e tij, ai i përgjigjet: “Tregu mediatik është i hapur në mënyrë që të përmbledhësh të gjitha aktivitetet që ndodhin, (kuptohet ato të cilat ia vlen të paraqiten para publikut). Por, në media ka hapësirë veprimi dhe me cilësinë e produktit tonë do të jemi konkurrues, pa diskutim”, tha ai.

Ndërsa si pjesë e dy grupeve muzikore “Latino Band” dhe “Makiato Band”, ai kujton me nostalgji: “Janë përvoja që nuk do t’i harroj kurrë, pasi aty fillova të prek sukseset e mia të para. Gjithashtu, nga shokët e të dyja grupeve kam mësuar shumë në muzikë, e për këtë u jam mirënjohës gjithë jetën”.

Duke qenë se bashkëpunimi i tij para disa vitesh me Bleona Qeretin bëri bujë, ai kujton momente nga ky bashkëpunim: “Mandarina“ ishte këngë e albumit tim të titulluar “IRON” dhe Bleona me të dëgjuar këtë këngë “o e merrte, o s’bënte”.

Por megjithatë ishte e frytshme për të gjithë ne, pasi të quhet një hit muzikor i atyre viteve. Në karrierën e tij muzikore, Krasniqi ka bashkëpunuar me emra si: Dafina Zeqiri, Naser Berisha, Egzon Pireci, Dardan Gjinolli, Vjosa Emini, Jehona Shaqiri, Linda Halimi, Vullnet Zhuniqi, Ymer Bajrami, Grupin“Fama”, Doruntina Hoxha, etj…

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al