29 Shtator, 2018

Hakerat sulmojnë “Facebook”-un, probleme me rreth 140 milionë llogari


Drejtuesit e kompanisë “Facebook” kanë bërë me dije se mbi 50 milionë llogari të këtij rrjeti social janë kompromentuar. Gjithashtu kompania ka bërë thirrje se mbi 90 milionë të tjera do të duhen të ndryshojnë fjalëkalimet për arsye sigurie.

Njëkohësisht “Facebook” ka bërë me dije se mbi 50 milionë përdorues të tij janë lënë të ekspozuar pas një gabimi në siguri.

Kompania tha se sulmuesit ishin në gjendje të shfrytëzonin një cenueshmëri në një tipar të njohur si “View As” (Shikoni si) për të fituar kontrollin e llogarive të njerëzve.

Sipas “Facebook”, shkelja është zbuluar të martën dhe menjëherë ka informuar policinë. Përdoruesit që janë prekur nga sulmi janë detyruar që të rihapin llogaritë këtë të premte.

“Gabimi është rregulluar”, ka bërë me dije kreu i sigurisë së firmës, Guy Rosen. “Sapo kemi filluar hetimet tona, duhet ende të përcaktojmë nëse këto llogari janë keqpërdorur apo çfarë informacioni është marrë. Ne gjithashtu nuk e dimë kush është prapa këtyre sulmeve, apo ku janë bazat e tyre”, tha ai, duke shtuar se “Privatësia dhe siguria e njerëzve janë tepër të rëndësishme dhe na vjen keq që kjo ndodhi”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al