19 Shkurt, 2018

Genc Salihu rrëfen rolin e homoseksualit në filmin “Martesa”


Muzikant në jetë dhe në filmin “Martesa” një rol i guximshëm ku shtjellohet dashuria homoseksuale gjatë Luftës së Kosovës, nëpërmjet një trekëndëshi, dy djemve dhe një femre. Genc Salihu, ish-trajneri nga Kosova i “The Voice of Albania”, i famshëm si kantautori i duos “Cute Babulja” ka kaluar pesë vite të jetës së tij duke xhiruar këtë film, ku dashuria e burrit për burrin të bën të besosh se kjo ndjenjë nuk njeh gjini. Ndërkohë që në jetën reale është baba i një vajze nga martesa me regjisoren Kaltrina Krasniqi, Genci rrëfen jetën e dytë si aktor, ku ka marrë miratimin e publikut për dashurinë e tij dhe partnerit në film, Alban Ukaj.

“Martesa”, filmi me regji të Blerta Zeqirit, ku të pamë në rolin protagonist të muzikantit Noli. Si mund ta përshkruash gjithë emocionin që përjetove brenda skenarit të pazakontë?

Ka qenë ndoshta përvoja me përmbushëse profesionale, që kam pasur ndonjëherë. Një proces i gjatë, i thelluar… I rrethuar me një ekip artistësh e teknikësh me vizion të qartë dhe guxim për hulumtim. Mësim i madh.

Çifti i kthyer në Prishtinë takojnë Nolin (që luhet nga ty), muzikanti që jeton në Francë. Ai ka qenë shoku i ngushtë i Bekimit (Alban Ukaj), me të cilin takoheni pas dy vitesh që s’jeni parë. Si mund ta për-shkruash trazimin shpirtëror të dashurisë së ndaluar në ujërat e të cilit noton një film i tërë?

Noli (pra, unë në film) është rrënjësisht i dëshpëruar. I ka humbur të gjitha. Suksesi profesional nuk e ngushëllon. Filmi e rrëfen të shtënën e tij të fundit para dorëzimit. Hero tragjik. Për ta luajtur, më është dashur të jem i fokusuar në çdo minutë të ditës. Noli nuk duronte emocion të rremë.

Bekimi, Anita, Noli, një trekëndësh i vështirë dashurie ku ngjarjet janë vendosur gjatë Luftës së Kosovës. I the “po” menjëherë rolit?

Një ftesë e tillë është e parezistueshme për mua, sepse është sfidë e madhe artistike. Sidomos kur personazhi ishte si me porosi, plus muzikant. Po ashtu, realizuesit e filmit, Blerta dhe Keka, ishin në pyetje, njerëz dhe artistë fantastikë, edhe shokë të afërt. Pastaj dëshira ime e vazhdueshme për ta mbështetur kauzën LGBT. Thashë “po” menjëherë.

Gjatë realizimit, gjithçka ishte e përkryer dhe të gjithë e kujtojmë si një përvojë përrallore. Nuk ka qenë e lehtë për mua ta bëj Nolin, por e kam dhënë maksimumin tim.

Një dashuri homoseksuale me një mashkull si Alban Ukaj. Nga skenat e seksit në mbrëmje tek intimiteti pas zgjimit në mëngjes, si është të dashurosh një mashkull?

Nuk mund të them se e di.

Por di mjaft që ta kuptoj se dashuria, siç nuk njeh racë, nuk njeh as gjini. Këtë synon ta paraqesë edhe filmi “Martesa”.

Po ndjesia juaj për personazhin femër në mesin tuaj, Adriana Matoshin si ishte?

Adriana është një shoqe e mirë e imja. Jemi bërë të afërt gjatë filmit. Po ashtu, ajo është një aktore jashtëzakonisht e talentuar. Standardi që vendos ajo në skenë, është i frikshëm. Regjisorët vriten për të dhe nuk i fajësoj.

Të realizoje skena të vërteta erotike me një mashkull në kinema, a është episodi më i bukur që ke parë ti vetë?

Nuk e di, a është më e bukura që kam parë, por bukur doli. Të gjithë jemi shumë krenarë me të. Si skenë ka marrë shumë kritika të mira në shkrimet e ndryshme, që janë bërë nëpër mediume ndërkombëtare.

Shpesh, nuk më besojnë kur u them se ka qenë ndër skenat më të lehta për mua. Më të vështira ishin skenat ku duhej të përçohej gjendja e thyer emocionale e personazhit.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al