8 Qershor, 2019

Gazetarja shqiptare që i shpëtoi vdekjes rrëfen si e braktisi e ëma: Jam shumë e lumtur që s’jam me të


Saranda Hoda e njohur për publikun si Sasa, është gazetarja nga Kosova, e cila dy vite më parë ishte në luftë për jetën. Ajo u prek nga sëmundja e rrallë hemangioma, një tumor i qelizave të gjakut që në rastin e saj kërkonte patjetër disa ndërhyrje.

Një ditë më parë, Sasa ishte e ftuar në emisionin “Ftesë në 5”, ku foli për jetën e saj të re, pasi kaloi sëmundjen e rrallë dhe nisi të ndiqte ëndrrat e saj.

Gjatë intervistës, Sasa tregoi se jeta nuk ka qenë asnjëherë e lehtë për të, duke iu referuar jo vetëm sëmundjes që kaloi, por edhe historisë së trishtë familjare.

28-vjeçarja rrëfeu historinë e dhimbshme të braktisjes nga mamaja, të cilën thotë se nuk do të donte ta takonte më.

“Jeta nuk ka qenë e mirë me mua, asnjëherë, me thënë të drejtën. Që në momentin kur kam ardhur në jetë, si një fëmijë i padëshiruar. Jam fëmijë jashtëmartesor”, tha ajo, duke shtuar se nëna e saj ka qenë e dashura jashtë martese e babait.

“Ata vendosën të më braktisnin, dhe më lanë të jetoja tek shtëpia e gjyshes dhe gjyshit. Unë u rrita me vëllain, motrën që ishte në shtëpi dhe njerkën, së cilës s’i them dot as njerkë, pasi për 17 vite me radhë mendoja se ajo është nëna ime”, ka rrëfyer 28-vjeçarja.

Për herë të parë ajo tregoi se ka arritur të kontaktojë më të ëmën dhe janë takuar vetëm njëherë. Gazetarja u shpreh se nuk arriti të ndjente ngrohtësi dhe dashuri nga e ëma biologjike, ndaj marrëdhënia e tyre është ndërprerë dhe për të e gjitha ka marrë fund.

“Në momentin që e takon, e ndjen atë ngrohtësinë e nënës, por kur tjetri nuk e ndjen ngrohtësinë e fëmijës atëherë…”, tha ajo, duke lënë të kuptohej që e ëma ishte treguar e ftohtë me të.

Ajo tashmë kishte krijuar jetën e saj në Gjermani, ndonëse Sasa tha se nuk ka dashur të mësojë më tepër për jetën e mamasë biologjike.

“Nuk jam interesuar shumë për të, ka mbaruar ajo histori. Ajo do të vazhdojë jetën e vet, unë jetën time dhe jam shumë shumë e lumtur që s’jam me të!”, përfundoi Sasa.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al