3 Korrik, 2022

Fotot nga paparazzi/ Monika Lubonja “s’ka kohë”, edhe grimin e bën në lokal


Monika Lubonja është një nga emrat e “showbizz”-it që i kushton gjithnjë shumë rëndësi pamjes së saj. Gjë që e vërtetoi edhe gjatë katër muajve që qëndroi në “Big Brother VIP”. Aktorja ishte thuajse gjithnjë e kuruar, duke i dhënë rëndësinë maksimale veshjes, flokëve dhe “make up”-it. Aktorja ka marrë komplimente të shumta për sharmin dhe elegancën, madje jo rrallëherë është cilësuar edhe si një nga banoret më të bukura të shtëpisë së famshme.

E duket se përkujdesjen ndaj pamjes së jashtme Monika “e ka në gjak” dhe nuk e bënte vetëm, sepse ishte nën syrin e kamerave për njëzetë e katër orë. Paparaci i “Panorama Plus” ka fotografuar aktoren në një prej bareve të Tiranës ku ajo shihet vetëm. Mirëpo, në vend të ndonjë kafeje a pije në duar ka disa “make up”-e. Siç mund të shihet në foto, aktorja është duke freskuar grimin e saj dhe nuk ka ngurruar që tualetet t’i vendosë në tavolinën e karrigen ku është ulur.

Sa i përket veshjes, Monika ka zgjedhur të bëjë një ndërthurje mes klasikes dhe sportives. Ajo ka zgjedhur të vishet totalisht me të zeza dhe “look”-u i saj përfshin një fund të zi dhe një xhaketë të zezë klasike. Veshjen e saj ishbanorja e “Big Brother VIP” ka zgjedhur ta kombinojë me një çantë të zezë dhe një palë atlete të bardha. Që pas daljes së saj nga shtëpia e BBV-së, aktorja është shumë aktive në studiot televizive, por dhe në rrjetet sociale.

Lubonja rrëmben vëmendjen e mediave rozë me “thumbat” e saj kundrejt ish-banorëve, apo edhe duke ndarë detaje nga jeta e saj private. Në çdo intervistë, Monika ngacmohet për jetën e saj personale. Para disa ditësh e ftuar në “Goca dhe Gra”, Monika bëri një rrëfim të rrallë për jetën e saj pas divorcit. Lidhur me marrëdhënien e vajzës së saj, Tea, me partnerët e saj, aktorja tha se ka gjetur gjithnjë ekuilibrin dhe se ajo e ka kuptuar duke qenë shumë e hapur.

“Unë isha rritur me një familje shumë të emancipuar. Divorci im nga familja nuk u prit keq. Më përkrahën. Tea ishte 4 vjeç kur u divorcova dhe isha në kulmin tim dhe opinioni ishte i frikshëm. Vitet e para zgjodha të jem edhe grua edhe baba, por nuk u largova nga familja ime sepse doja që Tea të kishte prezencën e një mashkulli. Nuk doja të rrinim vetëm në një shtëpi. Këtu isha pak fanatike.

Për shumë kohë nuk solla partner në jetën e Teas, sepse nuk arrita të gjeja atë që nesër pasnesër të ishte prapë me ne. I kam prezantuar partnerë Teas. Ka qenë ekuilibër shumë i mirë, sepse ajo në fund ka dashur që të jem unë e lumtur. Më ka thënë ‘Bujrum, hajde, por bëje për veten tënde jo për mua’. Më ka ardhur keq që Tea ka parë lot në sytë e mi në kohën e një lidhjeje dhe ajo e vuante këtë. Dhe më thoshte se ‘nëse ti mendon se jam unë pengesa nuk jam’. Lotët e mi kanë qenë nga rrethana të ndryshëm”, tha ajo.

Monika tregoi në një intervistë rreth njohjeve të saj dhe arsyes pse ka vendosur t’i mbajë kaq sekret. “Kur kam dalë kam lexuar lajme të tmerrshme, sepse harrojnë që jeta ime nuk ishte vetëm një martesë. Mbaroi ajo me respekt në maksimum nga të dyja palët, dhe unë kisha të drejtë të kisha një njohje tjetër. Jeta ime vazhdoi sepse unë jam divorcuar në moshën 27 vjeç, dhe s’mund të mbyllja dyert e zemrës. Unë kam pasur ato dashuritë e mia por i kam mbajtur pak sepse gjërat e mia personale nuk kam dashur t’i bëj kurrë publike sepse janë vetëm të Monikës”, tha ajo në “Natë me Aulonën”.

E pyetur nëse ka një njeri në jetën e saj, Monika tha: “Nuk kam, kam kohë që nuk kam dikë në krah, ndoshta kjo po më penalizon, sepse nuk po e lë dot veten të lirë. Le të kem atë guximin që të rifilloj edhe një histori tjetër dashuri, ndoshta nuk ka ardhur (ai), prandaj unë i bëj thirrje”.

Ndër të tjera, së fundmi aktorja ka shprehur gjithashtu dëshirën që të bëhet drejtuese e Teatrit Kombëtar. “Po të më bënin drejtoreshë të Teatrit Kombëtar do të bëja shumë risi, do të sillja shumë gjëra të reja. Do dal para Kryeministrisë ta manifestoj. Më jep mundësinë për një vit dhe të shikojmë, rrugës po mendoja çfarë mund të bëj unë një gjë plus”, shprehu aktorja.

Kujtojmë këtu që Monika Lubonja para disa vitesh ka qenë drejtoreshë e Qendrës Kombëtare Kulturore të Fëmijëve dhe Teatrit të Kukullave. Monika Lubonja ka qenë së fundmi në qendër të mediave sociale pasi i ka dalë në mbështetje Fifit lidhur me deklaratën e saj për virgjërinë që shkaktoi shumë polemika në rrjet.

Aktorja krahas një pjesë të këngës më të re të Filloretës, shkruan ndër të tjera se e do pikërisht sepse ajo guxon të thotë çfarë i do zemra. “Gusha ime, jeto dhe lumturohu me të gjitha bukuritë që ka dashuria jote. Ta dua shpirtin tënd, ta njoh rebelizmin kur e do. Guxo e shko përpara. Dashuri të dua akoma më shumë që guxon të thuash të vërtetën, atë që të ndjen zemra kur hap sytë, e ndjen pranë teje dashurinë që ti do”, shkruan Monika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al