24 Prill, 2022

Fotot nga paparazzi/ Kur “kujdestarë” janë baballarët VIP, nga shëtitja e Princ Lekës me të bijën te përkujdesjet e Artan Gaçit


Jemi mësuar të shikojmë shpesh personazhet VIP në statusin e familjarëve. Më të shpeshta janë nënat ato që shohim duke u fotografuar bashkë me të vegjlit e tyre në përditshmërinë e tyre. Por nuk janë të rralla edhe rastet kur janë baballarët ata që u shërbejnë fëmijëve. Dhe rasti më i mirë janë pikërisht këto foto.

Paparaci ynë ka fotografuar këtë javë dy personazhe të njohura, që në të përditshmen e tyre janë baballarë vajzash fillimisht. Në botë mund të duket e çuditshme të shikosh një Princ teksa shëtit fare lirshëm nëpër qytet me fëmijën e tij. Ndryshe është situata në Shqipëri, ku teksa shëtit pasdite nëpër Tiranë, mund të ndeshesh me Princ Lekën dhe vogëlushen Geraldina.

Ashtu siç shihet edhe në këto foto, të dy kanë kaluar një pasdite të qetë, ku Leka është treguar shumë i kujdesshëm që Geraldina ta shijojë kohën me të. I veshur sportiv dhe me atlete, Princi nuk është shqetësuar aspak për shkrepjet e fotove, por e ka kaluar kohën me të bijën dhe miqtë e saj të vegjël.

Shpesh në rrjetet e tij sociale, Princi ka publikuar foto nga e përditshmja e tij me vogëlushen. Geraldina është tashmë shumë e njohur në rrjetet sociale, pasi si mami Elia, ashtu edhe babi Leka ka publikuar copëza nga pushimet me Geraldinën apo shkrepje të tjera nga e përditshmja e tyre.

Ndërkohë Princ Leka ka dhënë kohë më parë një intervistë për një revistë franceze, në të cilën ka folur më shumë për vogëlushen Geraldinë. Ai ka treguar se me Elian kanë ndjekur traditën shqiptare, sipas së cilës nëna dhe bebi qëndrojnë disi të izoluar në 40 ditët e para pas lindjes dhe më pas takohen me të afërmit, por Leka është shprehur se tashmë familjarët janë njohur me vogëlushen. “Është një fëmijë i qetë, ushqehet mirë dhe na dhuron shumë shpesh buzëqeshje të bukura. Mezi po i presim qeshjet e saj të para”, është shprehur Princ Leka.

Ai ka treguar se e vogla ka marrë shumë dhurata për festa, mes tyre edhe një pjesë muzikore për piano, kompozuar nga një muzikant spanjoll. Princ Leka ka zbuluar se Geraldine ka krijuar një lidhje shumë të ngushtë me mami Elian dhe se ia njeh tashmë zërin. Një tjetër baba që ne po ju sjellim është një personazh i njohur, sidomos në fushën politike.

Ish-deputeti Artan Gaçi rikthehet në media, vetëm se këtë herë krejt ndryshe nga sa jemi mësuar ta shikojmë deri më tani. Pas kostumit të politikanit, Gaçi duket se është si çdo baba tjetër, që kujdeset për fëmijët dhe duket se i plotëson çdo dëshirë.

Bashkëshorti i ministres së Jashtme është fotografuar në kryeqytet me vajzën e tyre të madhe, Hana. Teksa vajza po shëtiste me monopatina, babai kujdeset që ta kishte vëmendjen sa te telefoni, aq edhe tek e bija. Kujtojmë se ai dhe Olta Xhaçka janë prindër të dy vajzave. E duke marrë parasysh angazhimet e shumta që ministrja ka në këtë periudhë të ngarkuar, Gaçi ka vendosur që të japë një dorë në familje. Kujtojmë se ish-deputeti i Partisë Socialiste ka edhe 2 fëmijë të tjerë nga martesa e mëparshme.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al