9 Tetor, 2022

Fotot nga paparaci/ Kush janë dy personazhet kuriozë për projektin e Teatrit të ri


Pas gati 2 vitesh nga zhurma e madhe që pasoi prishja e Teatrit Kombëtar, tashmë projekti për zhvillimin e godinës së re është gati. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka zbuluar detaje nga projekti për Teatrin e ri, i cili do të jetë tri herë më i madh se i vjetri dhe më modern. Duke folur në ceremoninë për hapjen e garës ndërkombëtare, Veliaj theksoi se ndërtimi i kësaj vepre në tokën ku ishte, është një nevojë për t’u shërbyer të gjithëve dhe se nuk ka kohë për të humbur, pavarësisht bindjeve politike.

Ai ka nënvizuar edhe faktin që projekti parashikon një parkim nëntokësor, që, sipas tij, është një mënyrë e mirë për t’i mbuluar kostot e projektit, siç ka ndodhur me parkimin te sheshi “Skënderbej”. E duket se të shumtë janë edhe personazhet e njohur që janë bërë kuriozë për të parë projektin e ri të këtij teatri. Ndër to mund të spikasim dy personazhe që kanë ndaluar hapat për të parë projektin.

E para është moderatorja e njohur për publikun shqiptar, Silvana Braçe. Ndonëse prej kohësh i mungon skenës, nuk mund të mos e vinim re interesimin e saj për godinën e re që pritet të ndërtohet. E një personazh tjetër, që është edhe më i lidhur me teatrin është edhe Kiço Londo. Paparaci ynë e ka fotografuar regjisorin teksa ka ndaluar për të parë detajisht projektin.

Kujtojmë se Londo ka qenë edhe drejtor i teatrit kombëtar eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ndaj dhe lidhja e tij me këtë godinë është edhe më e fortë. Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë kryebashkiaku dha detaje për ndërtimin e Teatrit të ri. “Duam që në çdo projekt të ri të përdorim nëntokën, por dua t’ju them se nga këto mbi 7000 metra nëntokë, një pjesë do jetë patjetër për parkim. Ajo që kemi vënë re në këto vite është se parkingu poshtë sheshit ‘Skënderbej’ ka paguar koston e sheshit ‘Skënderbej’, pra, është edhe një burim të ardhurash, për të gjeneruar para që të mirëmbahet institucioni, të paguajë shërbimet e ndryshme që mund të duhen, internet, drita, ujë.

Ndaj, parkingu është edhe një pjesë e kontributit për të fituar të ardhura në ditë kur s’ka shfaqje. Në pjesën tjetër të nëntokës do vendoset gjithë teknika, skenat rotative, sigurimi ndaj zjarrit, emergjencat e të tjera”, citohet të ketë thënë Veliaj. Për sa i përket hapësirës së sallave të Teatrit të ri Kombëtar, kryebashkiaku ka thënë se i është qëndruar projektit origjinal.

“I kemi qëndruar projektit origjinal si një fjongo ose perde e kapur, e kthyer horizontalisht. Hapësira më e madhe është salla kryesore, ku teatri mund të akomodojë në mënyrë simulante, pra në skena të ndryshme, 1514 vetë. Kjo është disa herë më shumë se ç’akomodonte shtëpia prej tallashi që trashëguam. Nga këto 1514 ulëse, 629 vende janë vetëm auditori kryesor, ai që quhet salla ikonike apo salla e madhe. Kemi edhe një ‘black-box’ me 250 vende, në formën e një shkallare.

Kemi edhe një skenë të ndërmjetme, për ata që duan të vënë vepra të këtyre kapaciteteve dhe kemi pastaj një skenë në tarracë të hapur. Vendosëm që në fillim fare që ne të kemi edhe një skenë me 500 vende, që është komplet në tarracë, me shërbimet dhe lehtësirat e nevojshme. Pastaj, janë zonat e pushimit dhe ato teknologjike. Ne duam që të jetë një ndërtesë si stadiumi, që jetohet 24/7″, ka thënë kreu i Bashkisë së Tiranës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al