4 Shkurt, 2019

FOTOT/ Ndërkohë që ministrat e rinj lagen në shi, për Erjon Braçen janë në dispozicion dy shoqërues me çadra


Statusi i ri si zëvendës i Kryeministrit Rama ka filluar të japë efektet e veta për deputetin e karrierës së Partisë Socialiste, Erjon Braçe.

Të gjithë e mbajmë mend momentin kur Erjon Braçe u emocionua teksa mësoi se Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, e emëroi Braçen si zëvendëskryeministër, madje ai u përlot.

Tashmë, zoti Braçe ka edhe një trajtim pak më special se një deputet i thjeshtë. Madje, nga fotot që na sjell paparazzi ynë nga Parlamenti, duket se ai po trajtohet më mirë edhe se ministrat. Këtë mund ta vërejmë fare mirë në këto foto.

Siç mund ta shihni në fotot lart, dy ministrat e sapoemëruar në kuadrin e ndryshimeve thelbësore në Kabinet, Çuçi dhe Shalsi, as nuk mund ta ëndërrojnë, mesa duket, trajtimin “mbretëror” të Braçes.

Ministrat, sapo kanë mbaruar punë në sallën e Parlamentit dhe kanë dashur të drejtohen te makinat e tyre, në ato momente kanë parë se po binte shumë shi. Shalsi, mesa duket, e kishte me nxitim dhe nuk priti, por iku në mes të shiut drejt makinës.

Ndërsa Bledi Çuçi bëri më shumë durim, duke pritur për disa minuta nën strehë. Por kur e pa që askush nuk po vinte ta merrte dhe shiu nuk po pushonte, iku me vrap drejt makinës, i bërë qull njësoj si Shalsi. Por nuk ka ndodhur kështu me Braçen.

Sapo ka dalë nga dera e Parlamentit, drejt tij kanë ardhur me vrap dy burra, me siguri shoferi e truproja. Ata kanë hapur jo një, por dy çadra në mënyrë që zëvendësi i Ramës ta përballonte pa vëshitrësi atë 10 metërsh ecje në shi, nga dera e Parlamentit deri te dera e makinës. Përfundimisht, nuk ka si pushteti, të cilin e shijon edhe te këto gjërat e vogla!

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al