24 Qershor, 2022

FOTO/ Zbulohet portreti i parë zyrtar i përbashkët i Princit William dhe Kate Middelton


Është zbuluar portreti i parë zyrtar i përbashkët i Dukës dhe Dukeshës së Kembrixhit. Piktura ndodhet në Muzeun Fitzwilliam në Kembrixh, Angli dhe njerëzit do të kenë mundësinë ta shikojnë nga afër atë.

Duka dhe Dukesha vizituan Kembrixhin ditën e enjte për të parë pikturën me vaj 210 centimetra me 110 centimetra, të punuar nga artisti britanik Jamie Coreth. Portreti tregon çiftin duke vështruar në distancë. Princi William të veshur  me një kostum të errët dhe kravatë blu dhe Kate e veshur me një fustan jeshil ngjyrë smerald nga marka The Vampire’s Wife, të cilën dukesha e kishte veshur më parë në një udhëtim në Dublin në vitin 2020. Fustani, i dizajnuar nga gruaja e muzikantit Nick Cave, Susie Cave, u përshkrua nga British Vogue si një kthese e madhe në stilin e Kate.

Piktura është porositur në vitin 2021 nga Fondi Mbretëror i Portretit të Cambridgeshire, sipas Muzeut Fitzwilliam . Coreth inkorporoi vetë Kembrixhin në portret, duke zgjedhur tonet e sfondit dhe një motiv arkitekturor gjashtëkëndor të frymëzuar nga ndërtesat në të gjithë qytetin, vuri në dukje muzeu në një deklaratë.

Piktura do të shfaqet në Fitzwilliam për tre vjet dhe më pas do të huazohet në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Londër në 2023 për të shënuar rihapjen e këtij institucioni.

Gjatë vizitës së tyre, Kate dhe William u takuan me Coreth, mbështetës të projektit, dhe Sibyl Marshall, gruaja e të ndjerit Sir Michael Marshall, i cili fillimisht propozoi idenë për portretin, sipas Muzeut Fitzwilliam.

Coreth e përshkroi përvojën e pikturimit të portretit si “privilegjin më të jashtëzakonshëm të jetës së tij” në deklaratën e muzeut.

“Doja t’i tregoja Lartësisë së Tyre Mbretërore në një mënyrë ku të dukeshin të relaksuar dhe të arritshëm, si dhe elegantë dhe dinjitoz”, tha Coreth në deklaratë.

“Meqenëse është portreti i parë që i përshkruan ata së bashku, dhe veçanërisht gjatë kohës së tyre si Duka dhe Dukesha e Kembrixhit, doja që imazhi të ngjallte një ndjenjë ekuilibri midis jetës së tyre publike dhe private. Pjesa ishte porositur si dhuratë për njerëzit e Cambridgeshire dhe shpresoj se do ta shijojnë po aq sa unë kam shijuar krijimin e tij”, tha artisti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al