23 Nëntor, 2019

FOTO nga paparazzi/Bes Kallaku komplekson politikanët me skenarin denoncues të filmit të tij, në premierë shkon vetëm Grida Duma


Pak ditë më parë, aktori i humorit Bes Kallaku shfaqi premierën e filmit të tij të parë si producent dhe aktor kryesor. Filmi ka në qendër të tij një personazh, të cilin Besi e ka prezantuar kohë më parë në spektaklet e tij të humorit. 

Bëhet fjalë për Skifterin, një djalë nga Laçi, i cili vidhte shtëpitë e të pasurve në Itali. Ky personazh u pëlqye shumë nga publiku, kështu që Besi vendosi të ndërtojë një fabul me të. Që të mos largohej shumë nga ideja, filmi ka emrin e Skifterit, por në italisht “Falco”.

Meqenëse Besi është shumë aktiv në rrjete sociale dhe di të promovojë shumë mirë punët e tij, duhet thënë se ata që ishin të ftuar për ta parë premierën, e dinin pak a shumë se për çfarë skenari bëhej fjalë, sepse Besi kishte ndarë paraprakisht disa sekuenca me fansat e tij. Filmi ka bërë një skenar humoristik, por edhe të dhimbshëm, mbi të gjitha real, të një historie tipike shqiptare në përgjithësi dhe të politikës shqiptare në veçanti.

Falco, një skifter në Itali, i luajtur nga Bes Kallaku, merr ftesë nga politika për të garuar si deputet. Ai vendos që të krijojë partinë e tij me “çunat problematikë” dhe arrin të fitojë dhe të bëhet forcë qeverisëse, duke i premtuar elektoratit dhe shqiptarëve që kjo forcë politike dhe kjo qeveri do të ndalojë vjedhjet ndaj popullit. Falco dhe djemtë e tij premtojnë se do të mbrojnë shqiptarët nga qeveria e saj. Pra, një hajdut i rafinuar do të pengojë vjedhjet e rëndomta! Falco është politikani që shkakton tërmet, një term që besojmë diçka ju kujton të gjithëve, sepse e kemi dëgjuar në disa përgjime…

Falco është politikani që mbjell kanabis, që fik radarët, që ka 8 klasë shkollë dhe kishte kohë që nuk kishte takuar shokët e tij për shkak të aktivitetit në Itali, por ka fat sepse i takon të gjithë në Parlament. Me ta ka mjaft kujtime, madje kanë vjedhur bashkë në Itali…Këta, pra, janë përfaqësuesit e popullit, janë Falcot që ne në fakt i shohim përditë në jetën reale. Edhe pse bëhet fjalë për një komedi, në fakt Besi na tregoi me humor një dramë të vërtetë socialo-politike, të cilën shqiptarët duhet ta refuzojnë dhe ta ndryshojnë.

Një skenar si ky, mjaft denoncues, natyrisht që do të vinte jo pak në siklet politikanët nëse do të ishin prezentë në sallë duke e parë atë film. Nëse në premierën e filmit të Ermal Mamaqit kishte shumë politikanë pjesëmarrës, që nga Kryeministri Edi Rama, Erion Veliaj etj., çuditërisht, në premierën e Besit këta politikanë të thirrur në kauzë në skenarin e filmit, mungonin.

E vetmja politikane, e cila kishte shkuar në atë premierë, ishte ish-deputetja demokrate Grida Duma, e cila në fakt duket që është mjaft e afërt me artistët. Nuk mungonin aktorë, regjisorë, këngëtarë, gazetarë etj., të gjithë bashkë për të parë flmin e parë të Bes Kallakut, i cili duket se ka qëlluar në shenjë me këtë temë kaq aktuale dhe reale.








 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al