22 Dhjetor, 2019

FOTO/ “Në skenën e RTSH-së isha Sali Berisha ekskluziv me …”, Drilon Hoxha: Si e përjetova duelin skenik me Flor Binajn si Edi Rama


KLOTILDA HARKA

Drilon Hoxha është aktor dhe regjisor mjaft i talentuar, i cili u bë pjesë e show-t të Festivalit të 58-të të Këngës në RTSH si Sali Berisha, për herë të parë me mjekër.

Producenti i “Drejt fundit” dhe “Dashuria s’mjafton” rrëfen për “Panorama Plus” rikthimin nën lëkurën e Berishës, i cili këtë herë rivalizon aktorin Florian Binaj në rolin e Edi Ramës, jo vetëm me vokacion skenik, por edhe me look.

U ktheve në rolin e politikanit të njohur Sali Berisha. Si ndihesh në rolin e Berishës, sa kohë shpenzon për ta studiuar si personazh?

Drilon Hoxha: Kisha kohë që isha tërhequr larg skenës dhe imitimeve, pasi tashmë dedikimi im më i madh u përkushtohet projekteve të tjera më madhore dhe dashurisë sime të parë, kinematografisë.

Propozimin e Vera Grabockës nuk mund ta refuzoja kurrë, pasi të jesh pjesë e historisë se Vera Grabockës është një vlerësim shumë i madh. Ndoshta në një të ardhme mund të kem sukses akoma më të madh sesa ajo, por që do ta kujtoj me dëshirën më të madhe se kam qenë pjesë e historisë më të bukur të Vera Grabockës.

Ne u munduam të sillnim personazhin e Berishës me mjekër, kësaj here pak më ndryshe, duke qenë se mjekra është pjesë projektit tim të ri, të cilin s’mundesha ta stopoja. Do të thosha se studimin e Berishës e kam bërë shumë vite më parë, kur kam qenë në hapat e para të imitimit, pasi më duhej të kuptoja dhe ta analizoja çdo të detaj të tij si personazh.

Kujtojmë që e ke takuar Sali Berishën gjatë “Dance with me”. Ç’të ka thënë për imitimin?

Drilon Hoxha: Po, e kam takuar. Takimi ynë është realizuar gjatë emisionit “Dance with me”, ku kam performuar live përballë tij dhe mund të them me plot gojën se kam marrë kritikat dhe vlerësimet më pozitive që mund të japë dikush mbi pasionin dhe punën që ti di të bësh.

Ti, Agron Llakaj, Rezart Veleshnja jeni imituesit e një figurë kaq të famshme politike. Kush prej jush mendon se i afrohet më shumë karakterit të Berishës?

Drilon Hoxha: Në fakt, kjo pyetje nuk më takon mua të kthej përgjigje, por mendoj se duhet t’i lihet në dorë publikut të vendosë dhe të japë pëlqimin e tij.

Siç e përmenda edhe më sipër, për projektin tim të radhës, i cili nuk më lejon ta heq mjekrën, një detaj ky shumë i rëndësishëm për rolin e Berishës, Vera këmbënguli dhe insistoi që përsëri të isha unë i përzgjedhuri, edhe pse mjekra nuk mund të ishte pjesë e personazhit të Berishës, ku në fund arritëm të krijonim një personazh dhe një skenar brenda kushteve tona. Për mua është një vlerësim shumë i madh.

Në skenën e RTSH-së, në një numër më Florian Binajn që imiton Kryeministrin Edi Rama dhe Rudina Dembacajn që imiton Jozefina Topallin. Si do ta përshkruaje duelin skenik Berishë-Ramë dhe cila politikane mund t’ju zbuste?

Drilon Hoxha: Kur “politikanët” ngjiten në skenën e aktrimit merret pjesa më e bukur e tyre, ku ne aktoret mundohemi të nxjerrim një “duel” ndryshe nga e përditshmja çfarë ne shohim në televizor.

Jo atë duel të mërzitshëm, por duelin që bashkon dy pikat më të largëta të politikës shqiptare në një pikë të vetme, e cila është skena e humorit.

Njihesh si producent dhe regjisor filmash. Filmat e tu janë të vërtetë sa realiteti, apo butaforikë sa imagjinata?

Drilon Hoxha: E kam theksuar edhe më parë se filmat që kam realizuar deri më sot janë një realitet i hidhur shqiptar, edhe pse do të doja më shumë të ishte pjesë e imagjinatës. Gjithmonë kam dashur të përcjell mesazhe shumë të forta nëpërmjet filmave që nxjerr në treg dhe që në njëfarë mënyre, realiteti të reagonte dhe të ecte drejt përmirësimit nëpërmjet artit.

U përfole për një afrimitet me aktoren Ana Lika. Ç’mund të thuash për marrëdhënien mes jush?

Drilon Hoxha: Ana është në projektin tim të radhës dhe jam vërtet i lumtur që përveç punës që na bashkon çdo ditë, na bashkon gjithashtu edhe një miqësi shumë e fortë.

Ku ndahet dhe bashkohet nuhatja jote prej biznesmeni me shpirtin krijues të artistit?

Drilon Hoxha: Shpirtin krijues të artit mendoj se e kam të lindur, ndërsa nuhatjen për biznes e mëson gjatë rrugës se si duhet të ngjitësh shkallët avashavash, për të realizuar në fund atë që është më e mira për ty. Mendoj se po, bashkimi i këtyre dy elementeve jep suksesin më të madh të njeriut. /Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al