28 Shtator, 2018

Erion Zeqiraj: Nga puna në Bashki në spiker lajmesh, pse vijoj të jem akoma interesant në ekran


KLOTILDA HARKA/ Erion Zeqiraj i rikthehet pas 10 vitesh dashurisë së parë, studios televizive ku jep lajmet në mënyrën e tij, pa i qëndruar strikt skaletës. Ish-lojtari i “Big Brother”, Erion Zeqiraj, ka veshur tashmë kostumin serioz në “Tema Tv”, një angazhim që e bën paralelisht me punën në Bashkinë e Tiranës. Për konkurrencën mes spikerave të tjerë, femrat që ndjekin lajmet prej tij, eksperiencën verore mes vajzave të bukura në “Miss Univerve” dhe si e imagjinon dasmën e tij, Erioni flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Rikthehesh sërish te puna jote e parë, si spiker lajmesh. Çfarë të joshi për t’u kthyer tek edicioni i lajmeve?

Televizioni është një nga pasionet e mia dhe si diçka që e ke pasion, nuk është e lehtë të largohesh prej saj. Mendova t’i rikthehesha dhënies së lajmeve pas 10 vitesh, sepse është diçka që më ka pëlqyer gjithmonë, pra, informimi dhe zhvillimet apo ngjarjet e ndryshme në vend apo botë. Mendoj se ky ishte momenti i duhur pas një pauze prej dy vitesh punë në televizion për të rifreskuar imazhin. Gjithashtu, edhe për t’u shfaqur pak ndryshe nga sa njerëzit më kujtojnë, nëpërmjet emisioneve apo programeve të ndryshme televizive ku unë kam marrë pjesë.

Pas punës si spiker, ke pasur disa eksperienca të tjera si moderator emisionesh argëtuese. Ku e gjen më shumë veten, te serioziteti i kostumit dhe kravatës, apo sportiviteti në një studio me të ftuar ku je i lirë edhe për situata improvizuese?

Të them të drejtën, si lajmet, si emisionet kanë emocion dhe adrenalinë. Në emisione jam më shumë Erion, kurse në lajme mundohem t’i transmetoj informacionet në mënyrën time, por pa dalë shumë nga korniza e formales. Në studion e lajmeve të duket vetja i mbyllur, vetëm ti dhe lajmet, kurse në emisione, si i zoti i shtëpisë që ke ftesa dhe biseda për të ndarë me miqtë çdo ditë. Besoj në këtë moment po shijoj pak qetësinë e të jetuarit unë edhe lajmi.

Ty personalisht çfarë të bën përshtypje gjatë leximit të lajmeve, kronika e zezë apo lajmet e politikës?

Më shumë më tërheqin lajmet që kanë zhvillim, pra, ngjarje të cilat nuk përfundojnë, por kanë vazhdimësi. Politika në përgjithësi e ka këtë vazhdimësi dhe të bën ta presësh me kureshtje pjesën tjetër, por ndodh edhe të zhgënjehesh nga zhvillimet se nuk del ashtu si ti e kishe parashikuar. Kjo e bën tërheqëse dhënien e lajmeve për mua vetë. Kurse, sa për kronikën e zezë, sa më pak aq më mirë. Janë lajme që më trishtojnë. Kuriozitetet, zbulimet dhe sporti janë lajme që i lexoj me dashuri dhe kureshtje.

Njihesh për tip i batutave të momentit, ndodh që në transmetimin e kronikave të të shpëtojë ndonjë koment apo ndaj operatorëve apo regjisorëve?

Joooo jam shumë miqësor dhe çdo gjë e kalojmë me batuta, madje edhe problemet. Besoj se ka më shumë sukses në të bërit mirë të punës, frymën e bashkëpunimit dhe komunikimin e mirë.

Ndodh që spikerat kanë prioritet pjesën sipër të veshjes. Ka ndodhur që të kombinosh xhaketën me tutat e sportit?

Duke qenë se merrem me sport, më ka ndodhur në fillimet e mia që të jap lajmet edhe me tuta të shkurtra dhe shapka me gisht (Qesh). Nuk duket keq. Kurse tani akoma jo!

Në këtë konkurrencë spikerash, kë do të veçoje si rivalin më të fortë dhe cila mund të jetë spikerja që do të doje të jepnit lajmet çift në një studio televizive?

Për mua Ilir Paço i “Top Channel” dhe Drini Zeqo janë më të mirët. Sa për rivalë, s’i quaj dot të tillë, por besoj i ndjek dhe mundohem të mësoj prej tyre. Sa për femrat, kushdo që të ishte, besoj do të përshtatesha mirë.

Kur jep lajmet, çfarë publiku imagjinon se të ndjek, publik femëror apo mashkullor?

Kur jap lajmet imagjinoj gjyshin tim kureshtar (Qesh). Por nuk e përjashtoj mundësinë që edhe femrat e shikojnë dhënien e lajmit nga unë, në mënyrën e tyre (Qesh).

Ti i ndjek lajmet dhe mendon se është ai minutazh që duhet shmangur për negativitetin që thuhet se transmetojnë?

Të them të drejtën, mua më tërheqin lajmet televizive për t’u informuar. Madje, konsumoj shumë lajmet online në portale dhe edicionet informative kur jam në shtëpi. Të informohesh është gjë e mirë dhe e nevojshme. Por edhe pa lajme, jeta është po aq e bukur sa edhe me lajme. Ka lajme që ta prishin ditën, por, në anën tjetër, të bëjnë të reflektosh dhe ta duash më shumë jetën.

Tani që e sheh veten përditë me kostum, të ka lindur dëshira që të bëhesh dhëndër, pra, ta shohësh veten gjatë celebrimit?

Nëse kostumi i dasmës është kështu, atëherë e paskam hequr kureshtjen për t’u bërë dhëndër (qesh). Besoj se do të jem dhëndër me papion ose më këmishë lino anës detit në dasmën time për të dalë nga rutina e kostumeve. (Qesh)

Sa paguhesh për punën që bën?

Paguhem mirë, sa për të bërë gjërat që dua, pa më munguar asgjë.

Vazhdon paralelisht punën në Bashki?

Sigurisht që e vazhdoj punën në Bashki se është një projekt, që e kam nisur dhe dua ta çoj deri në fund me ambiciet që kemi si Drejtoria e Objekteve në Bashkëpronësi për të pasur hapësirat e përbashkëta të administruara në mënyrë më të mirë të mundshme. Gjithçka që njerëzit sot të kenë administrator të certifikuar, ku çdo njeri mban përgjegjësi dhe përgjigjet për mënyrën se si përdoren pagesat e çdo banori për të mirëmbajtur pallatin. Kam filluar ta njoh qytetin dhe hallet e qytetit, duke i prekur dhe jo me të dëgjuar. Kjo më bën të mos shkëputem sepse e besoj se mund të bëjmë më të mirën për të bashkëjetuar të lumtur, të pastër dhe me sa më pak probleme.

Duke qenë se paralelisht me punën e zyrtarit ke qenë i rrethuar nga miss-et në angazhimin tënd në “Miss Universe”, numëron më shumë raste rëniesh në dashuri apo netë të nxehta?

Kam qenë përherë i rrethuar nga femra të bukura, edhe pa punuar me “Miss Universe”. Meqë “Miss”-i zhvillohet në verë, netët janë të nxehta, vapa bën të vetën. Por unë asnjëherë nuk ngatërroj punën me dashurinë apo netët e nxehta.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al