12 Maj, 2018

E “kryqëzuan” për foton me Eugent Bushpepën, grekët ndryshojnë mendim për këngëtaren shqiptare


Mbrëmjen e sotme është finalja e madhe e “Eurovizion Song Contest”, e cila mbahet në Lisbonë të Portugalisë. Në skenë do të ngjiten edhe tre këngëtarët shqiptarë, të cilët përfaqësojnë shtete të ndryshme.

Me zërin e tij të fuqishëm do të këndojë Eugent Bushpepa këngën “Mall” e që përfaqëson Shqipërinë. Më pas do të ndezë skenën me “Fuego”, Eleni Foureira që këndon për Qipron. Dhe në fund me zërin e tij melankolik do të sjellë në skenë “Non mi avete fatto niente”, Ermal Meta që përfaqëson Italinë.

Këtë vit vendi ynë është bërë pjesë e disa mediave të mëdha të huaja, falë shkrimeve që u kanë dedikuar tre artistëve shqiptarë. Por ajo që në një farë mënyre ka tërhequr më shumë vëmendjen kanë qenë komentet e shumta që janë bërë rreth fotos së Eugent Bushpepës dhe Eleni Foureira-s teksa bënin simbolin e shqiponjës me duar.

Fotoja u bë menjëherë virale dhe u kritikua ashpër nga ekstremistët në Greqi. Por pas këtyre debateve që u bënë në rrjetet sociale, duket se klima tashmë është transformuar pro këngëtares shqiptare, e cila pati një performancë të shkëlqyer në gjysmë finalen e parë.

Eleni ka fituar edhe mbështetjen e europianeve, që tashmë e konsiderojnë favorite të padiskutueshme për çmim të parë. Madje prestigjiozja BBC ka bërë një reportazh për të, ku e ka krahasuar me këngëtaren me famë botërore, Beyonce.

Por mesa duket edhe Greqia po ndryshon sjellje ndaj Foureira-s, pasi mediat vendase po shprehin mbështetjen për Qipron. Ata gjithashtu kanë shprehur  pakënaqësi ndaj kanalit shtetëror ERT që nuk zgjodhi këtë këngëtare për të përfaqësuar Greqinë.

Gazetari i njohur Dhimos Verikios ka folur në kanalin Alpha për këngëtaren shqiptare duke thënë: “Eleni është një mrekulli në skenë. Këto talente duhet te mbështesim”.

Panorama Plus

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al