12 Shkurt, 2018

E dashura e Flori Mumajesit “merr hak” ndaj Elvana Gjatës, zbulon arsyen e kthimit të saj nga SHBA


“3” titullohet projekti shqiptar i Elvana Gjatës me Pirro Çakon dhe Darko Dimitrov, i lançuar në një koncert recital, që u mbajt më 3 shkurt në Tiranë dhe që u transmetua në ekranin e “Top Channel”. Për t’i bërë një shpjegim pak ndryshe këtij “3”-shi, na ngacmoi një kronikë e posaçme që kishte përgatitur në emisionin “Prive”, e dashura aktuale e Flori Mumajesit, Liberta Spahiu, për ish-të dashurën e tij Elvana Gjatën. Pra, Flori Mumajesi mes një historie që ka mbaruar dhe një tjetre që ka nisur me mikeshën e dikurshme të Elvanës, ka krijuar një treshe mediatike për shtypin rozë.

Kështu, në programin më të ndjekur të showbiz-it në “Klan Kosova”, Liberta, e cila është jo vetëm moderatorja, por edhe producentja e programit, transmetoi të shtunën një kronikë televizive ku analizonte në mënyrë të sofistikuar arsyen e kthimit të artistes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në terma të tjera, ajo la të kuptohej se kjo eksperiencë mund të konsiderohej një “zhgënjim” apo një “dështim” i saj në SHBA me klipin “Forever Is Over”, që, sipas kronikës në fjalë, nuk përmbushi pritshmëritë e vetë Elvanës në radhë të parë, pasi nuk mori klikimet e mjaftueshme për t’u konsideruar një sukses. Pas kësaj, u përmend kthimi i saj në Shqipëri me bashkëpunëtorë shqiptarë si një kthim pas në karrierën e saj.

Moderatorja 33-vjeçare e “Prive”, nuk ishte vetë narratore e kronikës që u transmetua pak a shumë në koherencë me koncertin recital dhe shumë privat me 100 të ftuar, pikërisht në ditën e lindjes së Elvanës, ku mori urime për 31- vjetorin. Nga ana e saj, Elvana u sulmua nga fansat për faktin se e konsideroi këtë një fillim të ri, duke lënë të nënkuptohej një lloj “mohimi” të viteve të bashkëpunimit të gjatë me Flori Mumajesin.

Sipas ndjekësve, ajo nuk duhej të hidhte poshtë ato vite karrierë, pasi, sipas tyre, nëse kërkon në “Youtube”, këngët, që mbajnë firmën e Florit janë më të bukurat dhe më të klikuarat. Kujtojmë që para se Liberta të bëhej e dashura e Florit, ishte shoqja e Elvanës nga miku i përbashkët Valdrin Sahiti. Edhe pse ato nuk kanë komunikim, as njëra dhe as tjera nuk e kanë humbur miqësinë me stilistin, i cili i vesh për ngjarje të rëndësishme të karrierës dhe jetës së tyre private, pikërisht Sahitin.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al