9 Qershor, 2019

Dyshimet se martesa e Angela Martinit me miliarderin ka mbaruar, një tjetër djalë i shpreh dashurinë hapur


Ceremonia e tyre e martesës ishte pa bujë në dhjetor të 2017-s dhe u bë publike vetëm nga publikimi i fotove në rrjetet sociale nga vetë Angela Martini.

Në prag të Vitit të Ri, modelja shqiptare dhe bashkëshorti i saj, aktori rumun Dragos Savulescu, festuan njëvjetorin e martesës në Itali, ku kaluan momente romantike, të cilat Angela preferoi t’i ndante gjithashtu në rrjete sociale.

Modelja publikoi asokohe në “InstaStory” disa video nga festa e tyre intime, duke ndarë me fansat pamje nga darka dhe nga dhoma e saj e hotelit, duke dëshmuar kështu jetën përrallore që po bënte si e martuar me miliarderin rumun. Por mediat online kanë hedhur dyshimet se kjo martesë ëndrrash mund të këtë mbarur.

Sipas një hulumtimi të “Express” në profilin e Angelas në “Instagram”, u vu re se, ndryshe nga disa muaj më parë kur modelja nuk linte rast pa postuar foto me partnerin e saj dhe ishte mjaft aktive, së fundmi, publikimet e tilla mungonin. Postimi i fundit i modeles me bashkëshortin daton më 1 nëntor të vitit të kaluar në festën surprizë për ditëlindje, që ajo i organizoi atij.

Ndërkohë që hera e fundit që Angela ka folur publikisht për martesën e saj, pasi hoqi dorë nga karriera, ka qenë në një intervistë për një revistë shqiptare në muajin shkurt. Ndërkohë, vetëm para dy ditësh, Angela postoi një foto vetëm në “Instagram” të shoqëruar me statusin “Sky is not the limit”, status që ndjekësit e kanë përkthyer si një mesazh të koduar se tashmë ndihet si zog i lirë.

Përveç komenteve të shumta që ka marrë poshtë fotos, ra në sy edhe një koment nga një djalë nga Dubai, që punon për revistën “Harper Bazaar Arabia”. Mohammed i shkruante “I love you!”, koment shoqëruar me shumë zemra. Kujtojmë që Angela Martini kurorëzoi lidhjen e dashurisë me martesë, ku u shfaq një nuse shumë më ndryshe, në 12 dhjetor të 2017-s.

Angela i dha fund beqarisë me një fustan të zi transparent, ndryshe nga ç’jemi mësuar t’i shohim nuset, tradicionale me të bardha. Në rrjetet sociale ajo postoi disa fotografi nga ceremonia e tyre martesore, ku jepte lajmin se ishte celebruar. “E sapomartuar natën e kaluar me njeriun e ëndrrave! Jeta jonë është një film dhe ne guxojmë ta jetojmë ashtu siç duam! Origjinale, aq sa edhe e çmendur!”, shkruante modelja e njohur, Martini disa orë pasi kurorëzoi dashurinë e saj në Las Vegas me rumunin Dragos Savulescu.

RRËFIMI I ANGELA MARTINIT: KAM NJOHUR DJEM QË TË THONË, TI JE GRUAJA IME, POR QË NUK U INTERESON PËR TY!

Po çfarë rrëfeu më pas vetë Angela në një intervistë për revistën “Who”, rreth njohjes me miliarderin e kinemasë rumune? Ndër të tjera, ajo rrëfeu se ajo dasmë nuk ishte e planifikuar. Thjesht u zgjuan një mëngjes dhe thanë “Le të martohemi”.

Fustanin ia bleu Dragos-i, ajo zgjodhi unazën e saj dhe ai të vetën dhe në mesnatë i premtuan njëritjetrit dashuri në të mirë e në të keq. Duke folur për njohjen me të, ajo ka treguar:

“Kjo është shumë e thjeshtë. Unë kam udhëtuar në shumë vende të botës, jo si turiste, por jam rritur nëpër këto vende dhe të jetosh dhe të jesh turist janë gjëra shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Unë kisha akses në çdo gjë, kam njohur djem, burra të niveleve të ndryshme, burra të suksesshëm ku çdo gjë shkëlqen nga jashtë. Unë nuk arrita të njihja një person që ishte i thellë, shpirtëror, inteligjent, i ngrohtë, i kujdesshëm dhe një ëndërrimtar.

Sepse unë kam njohur djem që kanë pasur para nga prindërit e tyre, por nuk është e njëjta ambicie, e njëjta ëndërr. Kam njohur djem që paratë i kanë ndryshuar, që nuk besonin te ëndrrat dhe te shpirtërorja. Pastaj kam njohur djem që nuk besonin në dashuri, apo djem që thonë ‘Ti je gruaja ime’, por atyre nuk u intereson për ty. Kur takova Dragos, zbulova se ai ishte një ëndërrimtar, që kishte një botë dhe donte ta tregonte”, ka thënë Angela.

Ajo foli dhe për takimin e tyre të parë dhe rënien në dashuri. “Në fakt, ishte një dashuri me shikim të parë. Ne kishim shumë miq të përbashkët dhe unë isha duke darkuar me mikeshat e mia kur ai mori në telefon dhe tha: “Ejani në shtëpi, kemi party”. Unë isha pa make-up dhe nuk kisha dëshirë të shkoja. Mikeshat më pas më mbushën mendjen dhe pranova. Ne shkuam atje dhe unë hyra në kuzhinën e shtëpisë së tij, që tashmë është shtëpia jonë. Ne thjesht i hodhëm një shikim njëri-tjetrit dhe u përshëndetëm. Ne ndjemë një energji mes njëritjetrit. Unë isha duke folur me persona të tjerë dhe ai afrohej shumë tek unë, por nuk më fliste. Më pas, filluam të flisnim dhe në fillim folëm për shpirtëroren, për tema të thella si: pse jemi në këtë botë, ku do të shkojmë, dhe unë mbeta e habitur nga ato që ai thoshte. Mendoja se po tallej, thjesht po shtirej. Një javë më pas patëm takimin tonë të parë. Ai më shkroi mesazh për një darkë dhe folëm shumë për shpirtëroren, për jetën, dhe ai donte të më puthte. Më pas, vazhduan takimet e tjera dhe një muaj më pas erdhi dhe puthja e parë”, thotë Angela Martini.

Ajo gjithashtu tregoi që si çdo gjë tjetër, edhe për dasmën kishte dashur gjithmonë të organizonte diçka që ta shijonte vetë, jo për t’u dukur. E ndërkohë që kemi parë dasmën e ëndrrave, le të shohim nëse Angela do të ketë diçka më shumë për të treguar tashmë se si qëndron e vërteta e martesës së tyre, nëse ka marrë fund apo është thjesht një krizë kalimtare

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al