30 Korrik, 2022

“Duhet të bëjmë një hap prapa”/ Instagram anulon ndryshimet në platformë pas kritikave të Kylie Jenner dhe Kim Kardashian


Instagram po anulon planet e tij për ta bërë platformën të ngjashme me TikTok, pas kritikave nga përdoruesit, mes tyre edhe mega-ndikueset Kim Kardashian dhe Kylie Jenner.

Instagram, i cili është në pronësi të kompanisë mëmë të Facebook, Meta Platforms, nxori planet për të ndryshuar algoritmin e tij në mënyrë që përdoruesit të ekspozohen ndaj më shumë përmbajtjeve video nga njerëzit jashtë rrethit të tyre të miqve dhe ndjekësve.

Meta është nën presion për të performuar pasi Facebook raportoi se humbi përdoruesit për herë të parë këtë vit. Kompania gjithashtu raportoi një rënie të të ardhurave për herë të parë në historinë e saj.

“Më vjen mirë që rrezikuam – nëse nuk dështojmë herë pas here, nuk po mendojmë mjaftueshëm në mënyrë madhështore apo mjaft të guximshme”, tha kreu i Instagramit, Adam Mosseri për Platformer.

“Por ne patjetër duhet të bëjmë një hap të madh prapa dhe të rigrupohemi. [Kur] kemi mësuar shumë, atëherë kthehemi me një lloj ideje ose përsëritjeje të re. Kështu që ne do të punojmë me këtë.”- shtoi ai.

Jenner dhe Kardashian,  të cilët kanë një total prej 686 milionë ndjekësish në Instagram , postuan një mesazh në aplikacionin e ndarjes së fotove në fillim të kësaj jave, ku shkruhej: “Bëni Instagramin sërish Instagram. Ndaloni së përpjekuri të jeni TikTok. Unë thjesht dua të shoh foto të lezetshme të miqve të mi. Sinqerisht, të gjithë.”

Jenner, modelja, ndikuese e mediave sociale dhe sipërmarrësja e kozmetikës, ka 360 ​​milionë ndjekës në Instagram ndërsa Kardashian, ylli i televizionit realitet dhe biznesmenja, ka 326 milionë ndjekës.

Ylli i futbollit Cristiano Ronaldo është i vetmi person me më shumë ndjekës në Instagram (470 milionë) se Jenner.

Instagram u përpoq të krijonte ndryshime në platformën e tij në mënyrë që të tërheqë përdoruesit më të rinj që mund të jenë të prirur të shkojnë drejt TikTok.

Aplikacioni dëshiron që pothuajse të gjitha postimet video më pak se 15 minuta të ndahen automatikisht në formatin Reels. Kjo do të thotë se nuk do të ketë asnjë ndryshim midis Reels dhe postimeve të videove,  sipas CreativeBloq.

Ndërsa Facebook dhe Instagram kanë lidhur historikisht njerëzit me përmbajtjen e prodhuar nga miqtë e tyre, TikTok i bazuar në video mbështetet në sinjale algoritmike dhe përmbajtje virale për t’u treguar shikuesve postime shumë tërheqëse, pa pasur nevojë të mbështeten në rrjetin e miqve ose lidhjet e dikujt.

Klani Kardashian-Jenner ka një ndikim të rëndësishëm në mediat sociale. Sipas Insajderit , aksionet e Snap ranë më shumë se 8% në 2018 pasi Jenner postoi në Tëitter se nuk e përdorte më Snapchat sepse nuk i pëlqente ridizajnimi i aplikacionit.

Në atë kohë, Snap humbi më shumë se 1 miliard dollarë në vlerën e tregut.

Meta është në procesin e rinovimit të platformave të saj të mediave sociale me shpresën për të imituar suksesin e TikTok, aplikacioni për ndarjen e videove në pronësi të ByteDance që ka një bazë përdoruesish prej 655.9 milionë njerëz në mbarë botën.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al