14 Qershor, 2018

“Dua t’i them të gjitha”, Albatros Rexhaj habit me deklaratën: Po shkruaj testamentin…


Pas një periudhe pushimi, shkrimtari Albatros Rexhaj rikthehet pranë lexuesve me librin më të ri “Kthimi”. Ai ishte i ftuar ditën e sotme në emisionin “Rudina”, ku tregoi se ka punuar përreth tre vite për këtë libër, pasi po kalonte një fazë jo të mirë në jetën e tij, për shkak të problemeve shëndetësore.

“Unë jam tërhequr pak sepse jam duke kaluar një fazë jo të mirë të jetës sime, jo të lehtë dhe kam nevojë t’i përkushtohem vetes. Dua t’i kushtoj rëndësi vetes si në aspektin mendor, por edhe në atë fizik. Unë kam nevojë t’i përkushtohem rehabilitimit tim, po e them troç, me shpresën që gjërat të mos përfundojnë si herën e kaluar”, tha Albatros gjatë intervistës.

Rexhaj tregoi sesi një sekondë i ndryshoi tërësisht rrjedhën e jetës. Shkrimtari pësoi vdekje klinike gjashtë vite më parë, e pas kësaj ngjarje tronditëse, ai vendosi të mos dorëzohej lehtë përpara sfidave që i vë përballë jeta.

“Para 5-6 vitesh unë kam përjetuar një vdekje klinike dhe ai ka qenë moment kthese në jetën time. Vdekja klinike ka ndodhur gjatë një trajtimi shëndetësor, pata komplikime dhe situata doli jashtë kontrollit e mjekët kanë luftuar 6 orë për jetën time. Në më pak se një minutë unë kam qenë pa shenja jete dhe ky moment mua më ka ndryshuar si njeri. Para kësaj situate unë kam patur plane të tjera për jetën, kam patur pasion politikën, profesione që njerëzit i shohin nëpër filma. Kam dashur biznesin, kam dashur të fitoj para. Kam qenë tip agresiv dhe gangster i vogël por ku moment mua më ndryshoi si njeri. Kur i kujtoj ato sekonda, kur e kam ndjerë veten që po shkoj kam thënë: “O Zot kam edhe disa gjëra pa bërë. Kjo ishte fjala ime e fundit. E mbaj mend”, rrëfeu shkrimtari.

Shkrimtari u shpreh se historinë e jetës së tij e ka rrëfyer përmes letrave për të gjithë ata që mund t’i duket interesante në të ardhmen.

“Ky është një testament artistik ose personal merreni si të doni. Por unë kam nevojë ta them dhe ta shkruaj. Ndonjëherë gjërat nuk përfundojnë ashtu siç i mendojmë ne, por kjo është gjëja e radhës në të cilën unë do të përfshihem. Pastaj nëse kemi jetë dhe jemi mirë kam ndërmend të shkruaj dhe t’i bëj njerëzit disa të lumtur dhe disa nervozë. Nëse gjërat në jetë do të jenë mirë unë nuk kam ndërmend të ndalem, por si shkrimtar e kam privilegjin të punoj deri në fund. Unë kam filluar t’i shkruaj këto letra dhe janë tema për gjëra që unë i konsideroj esenciale në jetë”, përfundoi shkrimtari.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al